Çmimi i naftës së prodhuar në vend është rritur për arsye përfitimi. Kompania shtetërore “ARMO” ka rritur çmimin e naftës së vendit me afro 30% brenda dy muajve të fundit. Aktualisht nafta e vendit shitet me 86 lek për litër në tregjet me pakicë, afërsisht me të njëjtin çmim me naftën e importit. Drejtori teknik i kompanisë shtetërore “ARMO” deklaroi për Televizionin Klan se çmimi i naftës së vendit është rritur për arsye fitimi, sepse “ARMO”, sipas tij, funksionon sipas rregullave të tregut dhe nuk bën politika sociale.
“ARMO” është një shoqëri me kapital 100% shtetëror, por si shoqëri aksionere, ka si të gjithë shoqëritë e tjera në kapitalizëm qëllim primar, fitimin. Ne nuk bëjmë politikë sociale si kompani, nuk është detyra jonë që të bëjë politikë sociale si kompani. Neve jemi të detyruar që të ndjekim logjikën e çmimit të tregut, pra 75% e naftës vjen nga importi dhe neve duam s’duam hedhim vallen e të gjithë importuesve. Është si të thuash në mënyrë të plotë e kondicionuar veprimtaria jonë nga veprimataria e importit të naftës, kështu që neve nuk mund të bëhemi operatorët kryesorë në kushtet kur kemi vetëm 25 % të tregut, nuk mund të jemi neve operatorët kryesorë dhe si të thuash komanduesit e çmimit të naftës edhe në kushtet ku mund të na jepej një urdhër për këtë punë.”
Drejtues të “ARMOS” deklaruan se nuk ka asnjë ndryshim të kostos së prodhimit apo marketimti të naftës, por thjesht po shfrytëzohet situata botërore e krizës së naftës për një normë më të lartë fitimi.
“ Për sa i përket problemit tjetër se nafta e vendit prodhohet me po atë kosto që është prodhuar edhe më parë, kjo është e vërtetë, nafta e vendit, por jo vetëm nafta e vendit edhe nafta e importit te prodhuesit e tyre prodhohet përsëri me atë kosto që është prodhuar dhe më parë, por janë efektet e koniunkturave të cilat nuk përcaktohen, as nga ne, dhe as nga shumë operatorë të tjerë në treg, të cilët jemi të detyruar të ndjekim një logjikë të caktuar në rritjen e çmimit të naftës.”
Kompania shtetërore e naftës “ARMO” mbulon 25% të nevojave të tregut, pjesa tjetër e tregut mbulohet nga importet që e mbështesin tërësisht çmimin nga tregjet ndërkombëtare. Rritja e çmimit për naftën vendase përjashton çdolloj mundësie për kompensimin e situatës për tregun shqiptar me anë të çmimeve më të lira për prodhimin vendas në kushtet e krizës botërore të naftës. /tvklan.al