Faleminderit Sali Berisha! Ky është titulli i kryeartikullit të gazetës kosovare “Express” kushtuar autostradës së shqiptarëve.
Bjeshkët që ndanin Kosovën me Shqipërinë, u shembën sot vazhdon “Ekspres”, duke vënë theksin tek festa e bashkimit të shqiptarëve që filloi në tunelin që lidh Thirrën e Fanit me Kalimashin e Kukësit, Kosovën me Shqipërinë. “Express” vëren se vetëm pak centimetra trashësi dheu kanë bërë përfundimisht bashkimin e dy anëve të tunelit të autostradës së shqiptarëve.
Kjo fije ndarjeje, që më shumë është një mur simbolik, është shembur dhe dy liderët, Berisha ideator i kësaj rruge historike dhe Thaçi kanë përqafuar njëri-tjetrin. Durrës-Kukës shkruan Express është sfida më e madhe në infrastrukturë në këto 30 vitet e fundit, por edhe një prej arritjeve më të mëdha që do të futet në histori. Deri më 27 qershor kur edhe pritet të përfundojë, autostrada do të shfrytëzohet vetëm njëra anë e rrugës.
Sipas ekspertëve të ndryshëm citon rruga e re Durrës-Kukës krijon kushtet për një lëvizje me shpejtësi deri në 100 km/orë.
Gazeta “Kosovo Times”, vë theksin tek takimi i dy liderëve Sali Berisha dhe Hashim Thaçi që shënon çeljen e tunelit 5.5 kilometrash i cili lidh Kosovën me Shqipërinë.
Tuneli shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit nga Kukësi në Tiranë që më parë kryhej për 8 orë. Kjo rrugë, vazhdon Kosovo Times, do ti japë një shtysë të fuqishme ekonomive të dy vendeve dhe do të tërheqë investitorët e huaj.
Për gazetën Bota Sot më në fund në këtë ditë po shihet një dritë në tunel. Bota Sot shpreh urimet e saj në faqen e parë për këtë ditë të madhe të kombit.
Gazetari Teki Dervishi shkruan: “Dash zoti që kryeministrat Berisha dhe Thaçi t’i lavdërojë historia për punën e tyre në krijimin e perspektivave të kësaj kohe plot sfida të dhimbshme, por që historia do t’i përmend për ngjarjen e saj, ndër më të mëdhatë të kombit shqiptar, rrugën e bashkimit, kjo dihet, sepse shënohet sot, dhe nuk do të fshihet kurrë nga kujtesa historike e popullit.”
Autostrada e shqiptarëve ka kapur dhe vëmendjen e mediave të rajonit dhe atyre të huaja. “Serbia B92” shkruan për ngjarjen historike të shqiptarëve në artikullin “Kosova, Shqipëria bashkojnë kombin e ndarë”, duke theksuar se kjo autostradë shkurton ndjeshëm distancën e udhëtimit nga Prishtina për në Durrës.
Britanikja “EarthTimes” thotë se për ndërtimin e kësaj vepre që ka kushtuar afro 1 miliard euro janë dashur 3 vjet për të ndërtuar dhe shqiptarëve do u duhet vetëm 3 orë për të udhëtuar nga Kukësi në Durrës.
Në ceremoninë e inaugurimit të tunelit në zemër të autostradës morën pjesë dy liderët Sali Berisha dhe Hashim Thaçi, të cilët sipas “EarthTimes” në këtë projekt shohin një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy kombeve.
Autostrada shkruan Associated Press do të thellojë jo vetëm kontaktet politike por edhe ato ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës. Edhe media në Tajvanin e largët i ka kushtuar një artikull kryeveprës shqiptare. Tajvan News shkruan për dy kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës që inauguruan autostradën e parë që lidh dy kombet duke cituar kryeministrin Berisha që e ka përshkruar si ëndrrën më të bukur të bërë realitet./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle