Në fshatin e Arapaj të Rroskovecit sapo është ndërtuar rruga e re. Por në të nuk është vendosur asnjë sinjalistikë, apo element tjetër i sigurisë dhe aksidentet janë të njëpasnjëshme. Vetëm natën e kaluar dy kushërinj humbën jetën në vend dhe një i tretë u plagos.

Ishte kërkuar aq shumë nga banorët, por sapo përfundoi mori jetë njerëz. Më të fundit viktima në rrugën e re të fshatit Arapaj në Rroskovec ishin kushërinjtë Amarildo Dogani 29 vjeç dhe Festim Dogani 24 vjeç.

Ata po ecnin në anë të rrugës kur një makinë që drejtohej, po nga një bashkëfshatari i tyre Amarildo Çalamani devijoi nga rruga dhe i mori para.

I plagosuri:

 “Pimë kafe dhe dolëm përjashta po rrinim, në muhabet e sipër dëgjoj një zhurmë frenimi shumë të madhe, kur pas çohet një nga këta çunat e xhaxhallarëve ikën i pari, kur ikën i dyti më kap cepi i makinës, më plas në mur te një shkallë atje, këta çunat e xhaxhallarëve i pashë që makina i përplasi matanë”.

Rruga nuk ka sinjalistikë, ndriçim dhe elementë të tjerë të domosdoshëm për të qënë me parametra bashkëkohorë. Një ditë pas tragjedisë banorët kërkojnë ndërhyrjen urgjente. Ata thonë se vdekja e dy të rinjve nuk është rasti i parë.

Banor: 

“Tani vjen një keqe më e madhe për ne. Një muaj që është bërë rruga 3 aksidente kanë ndodhur”.

Banor: 

“Rreth dy km qendër e banuar, pa sinjalistikë, pa barriera mbrojtëse pa çdo gjë”.

Banor: 

“Mund të jetë e katërta kjo me vdekje, kanë ndodhur plagosje, spitale, gjëra”.

Frika më e madhë është për fëmijët që shkojnë në shkollën nëntëvjeçare dhe që ju duhet çdo ditë të kalojnë mes për mes rrugës.

Banor: “Këtu ka shumë trafik, kemi probleme me shkollën, fëmijët venë në shkollë, shkolla fillon për dy javë, nuk kemi garanci për shkollën, ne nuk i çojmë në shkollë nëse nuk merren masa”.

Mbrëmjen e së dielës dy  kushërinj humbën jetën në këtë rrugë, kurse një i tretë u plagos. Policia arrestoi autorin, kurse grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.

/tvklan.al