Dy persona humbën jetën të enjten në kryeqytet pasi dyshohet se u asfiksuan nga rrjedhja e gazit. Ngjarja ndodhi në rrugën Marije Kraja, pranë zonës së Kodrës së Priftit, në katin e dytë të kësaj banese.

Sipas policisë së kryeqytetit viktimat Altin Maksuti 47-vjeç dhe Vladimir Bengu 57-vjeç, janë kushërinj me njëri-tjetrin. Altin Maksuti jetonte me familjen e tij në Greqi, por gjatë ditëve të fundit ishte kthyer për të rikonstruktuar banesën e tij në Tiranë. Për këtë ai kishte kërkuar ndihmën e kushëririt të tij Vladimir Bengu. 

Rreth orës 13 të së enjtes sipas dëshmive të familjarëve ata janë shtrirë për të pushuar. Gjatë kohës që dy kushërinjtë kanë qenë në gjumë, dyshohet se pajisja që përdornin për tu ngrohur me gaz, të ketë patur rrjedhje.

Gjatë pasdites familjarët e tyre në Greqi, por edhe të afërm të tjerë në Tiranë kanë tentuar të lidhen nëpërmjet telefonitm, por nuk kanë arritur të komunikojnë. Ata më pas kanë njoftuar policisë, dhe këta të fundit kanë hapur derën, të cilët më pas konstatuan dhe dy trupat e pajetë.

Policia kreu hetime paraprake në vendin e ngjarjes, sipas të cilëve shkak për asfiksimin e tyre është bërë rrjedhja e gazit. Trupat e pajetë të të ndjerëve u dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekspertizë më të thelluar.

Klan News