Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Një qeveri pa zv/kryeministër dhe me dy dorëheqje në më pak se 15 orë nuk është në krizë. Kështu mendon sekretari i përgjithshëm i PS Gramoz Ruçi. Zoti Ruçi ka thënë se as partia nuk është në krizë dhe as qeveria dhe se rezoluta e kryesisë, ku parashihte ngrirje të sulmeve që nuk ndodhi mes Metës dhe Nanos është e vlefshme.

Gramoz Ruçi:- “Së pari që s’ka krizë në qeveri, qeveria është në punë është duke përmbushur detyrat e saj politike dhe institucionale, nëse dy ministra dhanë dorëheqje, kjo s’do të thotë që qeveria është në krizë. Zv/kryeministri e Ministri i Jashtëm dhe Ministri i Integrimit, përsëri sipas Kushtetutës janë në krye të detyrës dhe do të vazhdojnë të përmbushin detyrat e tyre, deri në momentin, që kryeministri, presidenti dhe parlamenti të plotësojnë detyrat e tyre kushtetuese. Kushdo emri, qoftë ky Nano, si kryetar i partisë, apo kryeministri i Shqipërisë, qoftë ky Meta si anëtarë i kryesisë, apo zv/kryeministër e ministër i jashtëm, zbatojnë dhe orientohen nga ato vendime politike që marrin institucionet politike të partisë dhe nga ato detyrime kushtetuese dhe institucionale që u ngarkon Kushtetuta e Shqipërisë. Rezoluta nuk ka dështuar, ajo është fryma, ai është mirëkuptimi, ai është pozicioni politik jo i Ruçit, jo i kryesisë së partisë, jo vetëm i grupit parlamentar, por i gjithë socialistëve”.

Sipas Ruçit, ligjvënësit të cilët ai i kryeson, do të votojnë në përputhje me vullnetin politik dhe rregulloren e grupit. Për zëvendësimet në qeveri, Ruçi thotë, se gjithçka e ka në dorë kryeministri.

Gramoz Ruçi:- “Kryeministri ka atributet politike dhe kushtetuese, të shikojë në vizionin e tij, se me kë i plotëson më mirë objektivat e tij programore. Kryesia dhe grupi parlamentar shumë shpejt, besoj brenda 24 orëve, do të përmbushin detyrat e tyre politike dhe mendoj më andej kryeministri, do të përmbush detyrat e tij institucionale dhe kushtetuese dhe mendoj që ndoshta dhe presidenti, megjithatë Kushtetuta i lejon 7 ditë, do të përmbush detyrën e tij kushtetuese dhe po kështu parlamenti brenda këtij sesioni do të përmbush detyrën e vetë kushtetuese”.

Një vendim të ndodhur dhe individual e ka vlerësuar pa dashur të komentojë Ministri i Rendit Luan Rama dorëheqjet e ministrave Ilir Meta dhe Sokol Nako. Rama ia ka lënë si dhe Ruçi, të drejtën e vendimit për ndryshime në qeveri vetëm kryetarit të saj Nano.

Luan Rama:- “Nuk besoj që ka nevojë për komente një veprim i ndodhur, përsa kohë që ajo është zgjedhja që ka bërë vetë zoti Meta në funksion të qëndrimeve që ai ka bërë publike. Është atribut tërësisht i kryeministrit, të përcaktojë se çfarë do të bëjë me të gjithë strukturën që ai drejton”.

Në mbledhjen e së martës të kryesisë, që nis në orën 10, priten replika me tone të ashpra, që mund të çojnë në mosgjetjen e mëtejshme të mirëkuptimit./tvklan.al