Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në 2 tetor në mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues nuk pritet asnjë ndryshim në forumet drejtuese të PS. Numri 2 i kësaj partie Gramoz Ruçi, thotë se institucionalisht nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga anëtarët e KPD-së për ndryshime, madje as dorëheqja e sekretarit Bardhyl Agasi që u paraqit në mbledhjen e kryesisë.

Në këtë mbledhje kryetari i PS Fatos Nano, u shpreh për reformim të partisë, për të qenë më efikas me elektoratin në prag të zgjedhjeve.

Gramoz Ruçi: “Unë si kryetar i KPD-së nuk kam ndonjë kërkesë për dorëheqje dhe elementi i dytë është kërkesa me 1/3 e firmave të KPD-së, të anëtarëve të vetë, për të operuar ose për të ndërmarrë veprime KPD për nivelin e sekretarëve apo për nivelin e kryesisë së partisë. Deri tashmë s’ekziston asnjë element i tillë.”

Për reformën zgjedhore Gramoz Ruçi tha, se vazhdojnë negociatat me PD dhe nëse afati i komisionit të posaçëm parlamentar përfundon pa dhënë rezultate, atëherë do të ndërmerren nisma të tjera ligjore.

Gramoz Ruçi: “Do të vazhdojnë negociatat siç kemi deklaruar edhe më parë. Çështja e përmirësimit të kodit elektoral është problemi themelor i aktorëve dhe faktorëve politik shqiptarë.”

Lidhur me konfliktin e institucionit të presidencës, kryetari i grupit parlamentar socialist sqaroi, se kryetari i mazhorancë ka kërkuar opinionin e deputetëve për variantet e propozuar nga opozita për KLSH. Sipas Ruçit në presidencë dy parti opozitare kanë paraqitur propozimet e tyre.

Gramoz Ruçi: “Është normale presidenti të thërrasë kreun e mazhorancës apo të opozitës, për t’i kërkuar mendime për institucione të ndryshme kushtetuese. Në këtë këndvështrimi ai i kërkoi që të përfaqësojë mendimin e mazhorancës, si kreu i kësaj mazhorance dhe nuk është mbledhja e grupit dhe as kreu i mazhorancës, që t’i thotë presidentit të vendos këtë ose atë kandidaturë.”/tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj