Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi dhe shefi i ligjvënësve demokrat Bamir Topi, vizituan Presidentin e Republikës Alfred Moisiu gjatë paradites, për t’i dorëzuar zyrtarisht akt-marrëveshjen e 14 Tetorit, për zgjedhjen e anëtarit të ri të KQZ.

Gramoz Ruçi: “Zëvendësimi i anëtarit të KQZ, që largohet si rezultat i zbatimit të Kushtetutës dhe këtyre amendamenteve që miratoi parlamenti, do të bëhet sipas kodit elektoral ekzistues, referuar pikës a, me kandidatura të propozuara vetëm nga partia më e madhe opozitare. Kështu që marrëveshja e bërë dhe amendamentet e miratuara nga parlamenti shqiptar i japin përgjigje eksplicite dhe përfundimtare shqetësimit të ngritur nga publiku shqiptar.”

Bamir Topi: “Të gjitha gjërat në akt-marrëveshje janë të qarta, janë eksplicite dhe mund të konfirmojë dhe atë që sapo shprehu zoti Ruçi.”

Sipas njoftimit të presidencës, në takim është gjetur mirëkuptimi i plotë për realizimin e ndryshimeve të shprehura në ligj dhe në marrëveshjen PD-PS. Përsa i takon çështjes së kreut të KLSH, kryetari i grupit parlamentar demokrat Topi, tha se ajo do të rishqyrtohet më vonë./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj