Bujqësia shqiptare nuk mund te zhvillohet me implementimin e skemave të dështuara socialiste në ditët e sotme. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli ka ironizuar programin socialist për bujqësinë, në një takim parazgjedhor me banoret e zonës së Pogonit në Poliçan.
Genc Ruli: “Ky është problem i fshatit tonë, sovraniteti ushqimor? Që t’i kthehemi e të mbjellim gjithë Shqipërinë me drithë, është vërtetuar që ishte dështimi më i madh i 50 viteve komunizëm. Shqipëria nuk ka klimën, nuk ka llojin e tokës për t’u mbjellë e gjitha, pak atje në Myzeqe mbillet, pjesa tjetër ka ullirin, ka frutikulturën. Janë pikërisht këto arritje në të gjitha fushat është ky seriozitet që vendi po rrezaton çdo ditë e më shumë, që i bindëm Evropën dhe botën që Shqipëria është një vend që në mënyrë normale do t’i afrohet Bashkimit Europian në mënyrë normale do t’i afrohet NATO-s.”
Janë pikërisht investimet në rrugë, shkollash e spitale, dyfishimi i pagave e pensioneve, rritja e të ardhurave buxhetore, argumentet e punës serioze të qeverise Berisha, nënvizoi ministri Ruli. Vend të veçantë në fjalën e tij, ministri i ekonomisë, i kushtoi rritjes së investimeve në fshat, si një nga objektivat madhore për mandatin e ardhshëm. /tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani