Nëse Serbia hyn në NATO, Rusia do të njohë Kosovën

Nëse Serbia do të hyjë në NATO, atëherë Rusia do të rishqyrtojë qëndrimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës.

Deklarata është e përfaqësuesit të përhershëm rus në Aleancën Veri Atlantike, Dmitrij Rogozin, i cili në një intervistë për gazetën serbe Blic tha se për NATO-n, Beogradit zyrtar do t’i duhet të heqë dorë nga Kosova.

Ai theksoi se, edhe pse pavarësia e shtetit të ri nuk është njohur nga të gjitha vendet anëtare, siç janë Spanja, Rumania, Greqia dhe Sllovakia, statuti i Aleancës Ushtarake thotë se një situatë e tillë përbën një pengesë për hyrjen e Serbisë në aleancë.

Siç theksoi ai, pranimi i saj mund të bëhet vetëm me kufijtë e rinj. Rogozin tha se në rast se do të ndodhë kjo, atëherë do të ndryshojnë edhe qëndrimet e Madridit dhe Moskës. Siç u shpreh ai, rusët dhe spanjollët nuk mund të jenë më shumë serbë se vetë serbët.

PE: Serbia do hyjë në BE, pas Kosovës

Parlamenti Evropian ka deklaruar se, nëse Serbia nuk dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian pa Kosovën, atëherë do t’i duhet të presë derisa Prishtina të bëhet pjesë e bllokut 27 anëtarësh.

Në një intervistë për Dnevnik, raportuesi për Serbinë në PE, Jelko Kacin, tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është kusht për t’u anëtarësuar në BE, por çështja është se a dëshiron Serbia të hyjë pa Kosovën?

Siç theksoi Kacin, në rast se kjo ndodh, atëherë Serbia do të jetë shteti i fundit i rajonit që do të bëhet pjesë e bllokut 27 anëtarësh pasi Prishtina zyrtare është pas vendeve të tjera të Ballkanit sa i takon heqjes së vizave e më tej, integrimit në BE.

Europarlamentari ritheksoi se synimi i Brukselit zyrtar është që Ballkani të jetë pjesë e BE-së./tvklan.al