Erisa Zykaj: “Ministri i Jashtëm spanjoll, Moratinos, ka thënë se është shumë e rëndësishme dialogu midis forcave kryesore politike në Shqipëri për të bërë të mundur progresin e mëtejshëm të vendit.”

I pyetur mbi qëndrimin e fundit të pozitës dhe opozitës për të dialoguar lidhur me gjetjen e një zgjidhje që i jep fund bojkotit, ministri Moratinos ka nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të këtij dialogu.

Miguel Angel Moratinos: “Dialogu është gjithnjë i mirë dhe shpresojmë që vijueshmëria politike e Shqipërisë të jetë pozitive. Besoj se të gjithë forcat politike po angazhohen dhe duhet investuar mbi këtë angazhim. Ne duam të ndihmojmë dhe kjo bën pjesë edhe në angazhimet e presidencës spanjolle, që Shqipëria, që ka prezantuar kandidaturën e saj për anëtarësim, të mund të avancojë gjatë presidencës spanjolle. Jemi të bindur se e ardhmja e vendit është në gjirin e BE-së “.

Nga ana e parlamentit evropian, shpresohet se dialogu do të jetë një mundësi për opozitën të tregojë pjekurinë e saj politike:

Jelko Kacin: “Lajmi që do ketë dialog është një shpresë, por problemi specifik për Shqipërinë është se shpesh nevojitet arritja e një rezultati. Të angazhohesh për diçka, nuk do të thotë që ta bësh atë, kështu qe le të presim. Shpresoj, që opozita do të tregojë pjekurinë e duhur për të përdorur kornizën demokratike për të promovuar qëndrimet e saj politike dhe për t’u përballur me qeverinë që drejton vendin. Është shumë e vështirë për ne të shohim, se dikush që mori pjesë në zgjedhje dhe që është zgjedhur, të bojkotojë parlamentin shqiptar dhe të mos përdorë podiumin e parlamentit për të qenë elokuent, për të qenë të dukshëm dhe për të promovuar vlerat e opozitës. E theksoj, për të kontribuar për kredibilitetin e vendit. Sado që bojkoti mund të duket i frytshëm për qëllime të brendshme politike, duke treguar se je aq i fortë për të bojkotuar parlamentin, është një mesazh shumë i keq në skenën e jashtme”./tvklan.al