Forcat ruse shënjestruan rajone të ndryshme të Ukrainës duke synuar infrastrukturën e energjisë dhe gazit në të gjithë vendin.
Të paktën 18 persona, përfshirë katër fëmijë mbetën të plagosur nga sulmi rus sipas zyrtarëve ukrainas. Ukraina përdori F-16 të furnizuar nga evropianët dhe aeroplanët Mirage-2000 të prodhimit francez për herë të parë për të zbrapsur sulmin masiv ajror rus në infrastrukturën energjetike të vendit.
Rusia lëshoi të paktën 67 raketa të llojeve të ndryshme dhe 194 drone sulmuese, nga ku 33 raketa dhe 100 dronë u rrëzuan. Një seri e dytë raketash hynë në hapësirën ajrore të Ukrainës.
Shpërthime u raportuan në qytetin perëndimor të Ternopilit dhe në Kharkiv ku pati gjithashtu edhe ndërprerje të furnizimit me gaz. Dëme u raportuan gjithashtu në një tubacion gazi në Poltava Oblast në mes të sulmit si dhe në qytetin port jugor të Odesës, ku infrastruktura energjetike dhe banesat u dëmtuan, raportojnë autoritetet lokale.
Breshëria vjen pasi SHBA pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë ndarjen e inteligjencës. Ndërkaq Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të takohet me Princin e Kurorës Saudite në Arabinë Saudite të hënën e ardhshme.
Ai shtoi se ekipi i tij do të qëndrojë në bisedime me partnerët amerikanë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Zelensky gjithashtu dukej se i referohej një plani armëpushimi të përshkruar në fillim të kësaj jave nga Emmanuel Macron i Francës. Ai propozoi një armëpushim njëmujor dhe një fund të sulmeve ndaj energjisë dhe infrastrukturës tjetër civile.
I dërguari i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, i cili gjithashtu luan një rol udhëheqës në bisedimet për Ukrainën, tha se bisedimet ka të ngjarë të zhvillohen në Riad ose Xheddah.
Takimi javën e ardhshme duket të jetë një hap i kujdesshëm në ritestimin e marrëdhënieve midis dy aleatëve.
Klan News