Një sulm me dron rus ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në strehën e rrezatimit të termocentralit bërthamor të Çernobilit.
Droni rus goditi mburojën e centralit bërthamor, duke shkaktuar zjarr, i cili më pas u shua nga zjarrfikësit.
“Tani për tani, niveli i rrezatimit nuk është rritur dhe po vëzhgohet vazhdimisht. Vendi i vetëm në botë që e sulmon një zonë të tillë, centralet bërthamore dhe kryen luftë pa keqardhje për pasojat, është Rusia e sotme”, tha në një postim Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) bëri të ditur se personeli i saj në vendngjarje reagoi brenda disa minutash pas sulmit, duke shtuar se nuk pati viktima. Megjithatë autoritetet mbeten në “gadishmëri të lartë” pas goditjes.
Përfaqësues të presidencës ukranase thanë se e gjithë bota investoi në strehimore dhe tani rusët qëlluan me dron.
Mburoja është projektuar për të parandaluar rrjedhjen e mëtejshme të materialit radioaktiv. Është 275 metra e gjerë dhe 108 metra e gjatë dhe ka kushtuar 1.6 miliardë Dollarë për t’u ndërtuar.
Çernobili është vendi i aksidentit më të keq bërthamor në botë kur njëri nga katër reaktorët e tij shpërtheu në vitin 1986 duke shkaktuar një katastrofë të vërtetë dhe një emergjencë të shëndetit publik në të gjithë Evropën.
Klan News