Shefi i UNMIK-ut Joakim Ryker tha në një intervistë për rrjetin BBC, se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhjet lokale në Kosovë. Sipas tij çfarëdo përpjekje për t’i mbajtur ato në territorin kosovar, do të përbëjë shkelje të rezolutës 12/44. Kryeadministratori tha, se do t’i përgjigjet një letre të qeverisë së Serbisë duke i bërë të qartë se vetëm UNMIK-u mund të organizojë zgjedhje në territorin kosovar.
Autoritetet serbe i kanë shkruar një letër Rykerit ku i kërkojnë mbajtjen e 2 palë zgjedhjeve edhe në vendbanimet me shumicë serbe në 11 maj. Mund të ketë njerëz që bëjnë fushatë për zgjedhjet parlamentare dhe ne do të përcaktojmë disa kritere se çfarë do të lejojnë dhe çfarë jo, tha Ryker.
Zgjedhjet parlamentare serbe në Kosovë duhet të tolerohen pasi këtë e kemi bërë gjithnjë sqaroi kryeadministratori. I pyetur se çfarë mendonte për deklaratën e përfaqësuesit të lartë të BE-së Havier Solana, se serbët e veriut mund të marrin pjesë në zgjedhje Ryker u përgjigj se nuk është në dijeni të saj, por nënvizoi se UNMIK-u nuk do të mbështesë dhe as nuk do të pengojë pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të Serbisë./tvklan.alGazetare: Juli Ristani