Kryetari i nderit i asamblesë së republikanëve, Sabri Godo, deklaron se votat që do të marrin partitë politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhen përllogaritur në bazë të një proporcionali kombëtar dhe jo rajonal.

Në një kohë kur komisioni për kodin zgjedhor është duke punuar për hartimin e ligjit të ri elektoral Godo thotë se sistemi proporcional rajonal i miratuar gjatë ndryshimit të kushtetutës nuk është gjë tjetër veçse një formë e re e fenomenit të Dushkut.

Sabri Godo: “E vetmja zgjidhje e pranueshme do të ishte që partitë të dilnin me listën kombëtare dhe të llogaritej proporcionali në shkallë kombëtare. Aty ku fiton drejtpërdrejt në atë, në rajonet që janë krijuar mirë se mirë, pastaj ç’mbetet të marrë nga ajo që nga vota që ka marrë nga tërë shqiptarët në tërë territorin tonë, vetëm kështu do të kemi një sqarim të balancave politike që qarkullojnë në Shqipëri”.

Ai nënvizon më tej se edhe Partia Demokratike e përkrah idenë për të llogaritur votat e subjekteve në shkallë kombëtare, por për hir të konsensusit duket se do të pranojë qëndrimin e socialistëve për të mbetur vetëm tek proporcionali rajonal.

Sabri Godo: “Më duket se Partia Demokratike e mbron këtë ide, por kam frikë se ajo mund edhe të lëvizë nga pozicionimi i vet nën presionin e socialistëve. Thjesht për t’i shërbyer qëllimit, për t’i thënë botës që ne bëmë reformë elektorale dhe e bëmë me pëlqimin e të gjithëve. Kjo sipas meje nuk duhet bërë”.

Komisioni për kodin zgjedhor, i ngritur në fillim të këtij muaji me vendim të parlamentit, ka miratuar deri tani vetëm pjesën e parë të kodit zgjedhor që lidhet me aspektet teknike të zgjedhjeve dhe me kohën e zhvillimit të tyre./tvklan.al