Politikani Sabri Godo, gjen pak arsye në mungesën e një qëndrimi zyrtar të kryetarit të shtetit mbi zgjedhjet.

Godo e parashtron këtë si një paradoks nisur nga rëndësia që kishte procesi për vendin në një plan edhe më të gjere sesa ai lidhur thjesht me politikën e brendshme.

Sabri Godo: “Unë mendoj se presidenti kishte detyrimin moral të mbështeste mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe më duket këtë pjesë sërish e bëri. Por s’do të ishte krejt e natyrshme që t’i jepte dhe një mendim të tij mbi mbylljen e këtyre zgjedhjeve”.

I njohur për përfshirjen direkte në procesin për hartimin e kushtetutës, Godo argumenton dhe detyrimin që rrjedh nga ligji themelor që duket se nuk përjashton presidentin nga përgjegjësia e mbajtjes së një qëndrimi zyrtar mbi këtë çështje. Një detyrim që gjithsesi tingëllon më shumë moral, sesa ligjor.

Sabri Godo: “Kjo nuk është një detyrim kushtetues eksplicit dmth që duhet në raste të tilla me doemos presidenti. Por kushtetuta presupozon këtë që kur ka një ngjarje politike të madhe që shtrihet mbi të gjitha partitë, atëherë ngrihet figura e presidentit dhe thotë se si e mendon ai. Kshu që kjo nuk më duket dhe aq e natyrshme kjo heshtje e tija”.

Panorama post zgjedhore është e mbushur me konteste të forta të PS që vë në dyshim rezultatin e prodhuar.

Kjo duket të jete dhe një nga arsyet e forcimit të zërave politik që lexojnë në heshtjen e presidentit Topi, qëllime që bien ndesh me pozicionin e tij mbi palët.

Sabri Godo: “E parë në këtë kontekst, ndokush mund edhe të thotë që tani presidenti me heshtjen e tij bën disi, i jep një përkrahje indirekte atyre që kontestojnë këto zgjedhje. Unë nuk mund t’i drejtoj një kritik të tillë presidentit, por lë shteg për interpretime, dhe prandaj më duket se ishte e nevojshme të shfaqte një mendimin  tij në kohën e duhur”./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi