Prej kohësh jashtë radarëve të Kombëtares shqiptare, por në formë nëse është e nevojshme. Armando Sadiku vijon të shënojë në Superligën indiane. Sulmuesi kuqezi realizoi në barazimin 1-1 që Goa regjistroi ndaj Hyderabad për t’i dhënë një pikë skuadrës dhe u përfshirë në formacionin më të mirë të javës.
Me një gjysmë roveshatë, Sadiku u tregua i saktë nga shumë pranë portës, teksa e shikon veten krah futbollistëve që bënë diferencën në fushën e lojës.
Sulmuesi është vlerësuar nga “Sofascore” me notën 7.8 për të qënë pjesë e dyshes sulmuese. Armando Sadiku po regjistron shifra të kënaqshme në këtë sezon, pasi deri më tani ka shënuar 9 gola dhe dhënë 2 asiste për shokët e skuadrës.
33-vjeçari elbasanas tenton të rikthehet me ngjyrat kuqezi dhe shihet si një kandidat potencial për tu grumbulluar në ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës në muajin Mars.
Dëmtimet në repartin e sulmit kanë qënë të shumta në këtë periudhë dhe Sadiku mund të jetë në mesin e futbollistëve që do merrnin ftesë për sfidat ndaj Anglisë dhe Andorrës.
Klan News