Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Lideri i opozitës Sali Berisha, ka vazhduar betejën kundër kryebashkiakut të Tiranës Edi Rama edhe jashtë Parlamentit. Ai ka denoncuar para mediave, një iniciativë të zotit Rama, që sipas kreut të demokratëve, ka për qëllim shembjen e kinema “Millenium 1”.

Sali Berisha:- “Në ethen e shndërrimit të parave të pista në pallate, Edi Rama ka vendosur të shembë “Millenium 1”, pra ish-kinema Republikën, të ndërtojë në atë truall, një pallat të vetin prej 22-katesh. Rikujtojë edhe njëherë këtu, se vetëm dy javë më parë vandali i kinemave rrafshoi kinema “17 Nëntorin” dhe qendrën historike të qytetit të Tiranës dhe i dha sheshin organizatës terroriste Hakmarrja për Drejtësi, për të ndërtuar aty pallatin tjetër të krimit, apo pallatin heroina”.

Dhe nuk ndalet këtu me akuza lideri i opozitës, sipas tij, në bashki po zhduken dokumente që provojnë korrupsionin e kryebashkiakut të Tiranës.

Sali Berisha:- “Në Bashkinë e Tiranës, po konsumohet një vepër e rëndë penale, bashkëhajdutë me Edvinin po falsifikojnë dokumentet, apo po lajnë dosjet, të rrugëve me trotuare të ngrëna, të lulishtes së spitalit dhe disa dosje të tjera. I paralajmëroj këta fatkeq, se po luajnë me veten e tyre, dokumentet ekzistojnë edhe tjetërkund”./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço