Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Numri i protestuesve do të ishte edhe më i madh, nëse nuk do të pengohej udhëtimi i qytetarëve nga rrethet e tjera drejt Tiranës. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, bën përgjegjës kryesor kryeministrin Fatos Nano dhe Ministrin e Rendit Igli Toska për bllokimin e qytetarëve në akset hyrëse të Tiranës, të cilët nuk arritën të shkojnë në protestë.

Sali Berisha:- “Fatos Nano dhe Igli Toska, kanë bllokuar dje, siç keni dëshmuar ju me kamerat tuaja të gjitha akset rrugore. Unë i paralajmëroj, mos të bllokojnë lëvizjen qytetare, politika e bllokimit mund të dëshmohet me pasoja katrastofale për ta. Lëvizja “Nano ik”, nuk është një lëvizje bllokuese, në rast të kundër druaj, se të dy ata do të mbeten të bllokuar, si minj mbi tavolinë”.

Kryedemokrati shprehet se protesta do të zhvillohen në mbarë vendin, derisa të realizohet qëllimi i lëvizjes “Nano ik”.

Sali Berisha:- “Vlora mesi po pret protestën, ja u them unë ju, Fieri është në garë për t’u vu në agjendë, Tepelena në krye, Shkodra po kështu”.

Sipas Berishës, java e ardhshme e opozitës, do të jetë mjaft intensive, jo vetëm në bisedimet për të marrë mbështetjen e intelektualëve, por edhe në parlament. Ditën e martë PD do të mbledh tryezën e partive politike të opozitës, për të përcaktuar ecurinë e lëvizjes “Nano ik”./tvklan.al