Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Lideri i opozitës Sali Berisha ka denoncuar prezencën e disa punonjësve të bashkisë, në një nga mbledhjet e komisionit hetimor parlamentar anti-Rama, duke e cilësuar këtë si shkelje të ligjit dhe dhunim të institucionit më të rëndësishëm të vendit.

Duke e kujtuar ligjin për funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare, zoti Berisha tha, se asnjë njeri nuk mund të marrë pjesë në mbledhjet e komisionit pa qenë i ftuar më parë me konsensusin e të gjithë anëtarëve. Për këtë arsye, Berisha ka paralajmëruar se denoncimi i kësaj ngjarje do të jetë çështja kryesore e opozitës, në seancën parlamentare të së hënës.

Sali Berisha:- “Edvin Rama, njeriu që i vuri llozin bashkisë, ditën për drekë, sikur ta kishte bordellon private të rrugicës së tij dhe jo shtëpinë e parë të qytetit dhe të qytetarëve, urdhëroi një grusht edvinësh, të shndërrohen nga punonjës të shtetit, në provokatorë të ulët, të dhunojnë institucionin qendror të vendit, të dhunojnë parlamentin, të dhunojnë punimet e komisionit që heton për vjedhjet e Ramës dhe vjedhjet e tyre. Seanca nesër do të jetë çështja e parë e rendit të ditës, dhunimi i ligjit dhe i parlamentit nga edvinët në dhe jashtë komisionit”.

Ndërsa i pyetur për përpjekjet që po bënë PD, për afrimin e një koalicion të të gjitha partive opozitare, zoti Berisha ka deklaruar, se do të bëhen të gjitha lëvizjet e duhura për bashkimin e opozitës.

Sali Berisha:- “Jam i gatshëm të ofrojë një shumëllojshmëri ofertash. Grupi ynë negociator është i vendosur të punojë me ndershmëri për një koalicion në të cilin të gjitha palët e gjejnë dinjitetin e tyre dhe veten e tyre”./tvklan.al