Lajme Arkiva 2003

Partia Demokratike ka konfirmuar votën e saj kundër emrave të ministrave të rinj në seancën e sotme parlamentare. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike kryetari Sali Berisha shprehu qëndrimin që do të mbajnë demokratët në parlament.

Sali Berisha: Një gjë është e sigurt, opozita e ka këtë votë totalisht kundër Fatos Nanos.

Sipas Berishës votat e socialistëve të njohur si përkrahësit e Metës janë blerë nga kryeministri Fatos Nano. Ky është edhe shkaku i shtyrjes së seancës shprehet kryedemokrati, në mënyrë që Nano të shfrytëzonte kohë për presionet dhe ofertat për të fituar votat e shumicës në parlament

Sali Berisha: Duka ka hapur valixhet për të blerë mandatet. Banda e Nanos është Duka. Nano ka bërë presionet më të jashtëzakonshme dhe ofertat më poshtëruese ndaj deputetëve të spektrit tërësor. Cili do jetë efekti i shumave marramendëse të shpërndara në këtë fundjave nga arkëtari i Fatos Nanos, cili do jetë efekti i terrorit psikologjik të ushtruar mbi deputetët, cili do jetë efekti i ofertave të njeriut që edhe kur të jep dorën duhet të numërosh gishtat se të ka vjedhur diçka, duhet të jesh i kujdesshëm, kjo do të shikohet sot në seancë.

Berisha ka përsëritur edhe njëherë meritat e ministrit të dorëhequr Sokol Nako i cili ka ndihmuar në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Berisha është i bindur se votës së demokratëve do tu bashkohen të gjitha grupet e tjera parlamentare të opozitës./tvklan.al