Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Një ditë pas takimit me Presidentin e KE Romano Prodi, lideri i opozitës Sali Berisha ka treguar, se si është zbuluar përgjimi i bisedës mes dy delegacioneve.

Sali Berisha:- “Kemi vërtetë një dialog të shkëlqyer me BE, pavarësisht nga ca truke që bënë dje, por ato ishin të turpshme për ata që i bënë”.

Gazetari:- A është e vërtetë që ju jeni përgjuar dje në takimin me Prodin?

Sali Berisha:- Atë e dinë kryetari i Parlamentit. Ajo që është e vërtetë është që ajo ishte i hapur. Ajo do të shihet, do të hetohet, megjithëse atë absolutisht unë ia thashë dhe zotit Prodi, se unë këtë fjalë që ua them ju, këtë ua them shtypit, ua them të gjithëve, se unë jam ky që jam. Por ai ishte një akt i turpshëm, që kishin lënë hapur mikrofonat”.

Takimi Prodi-Berisha, u zhvillua në një nga sallat e Kuvendit të Shqipërisë. Autoritetet e Kuvendit edhe pse kanë pranuar ekzistencën e interfonisë në këto salla, kanë refuzuar sërish të shpjegojnë se si funksionojnë ato. Por për zotin Berisha, ky incident, nuk do të step opozitën, për të plotësuar kërkesën kryesore të zotit Prodi, në luftën ndaj korrupsionit.

Sali Berisha:- “Mund t’u them ju, që kërkesa e zotit Prodi, ndaj nesh, ishte që të angazhohemi me tërë potencialin tonë në luftën kundër korrupsionit. Kjo ishte një kërkesë specifike, të cilën presidenti i KE ma paraqiti si në Pallatin e Brigadave, ashtu edhe në takimin tim. E sigurova që ne, nuk do të lëmë hapësirë ligjore pa shfrytëzuar, nuk do të lëmë përpjekje institucionale dhe publike pa bërë, që ky fenomen, të marrë përgjigjen ligjore që meriton”./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço