Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Një ditë para asaj që demokratët e kanë quajtur një nga betejat më të mëdha parlamentare, lideri i opozitës Sali Berisha është treguar i sigurt se askush nuk do të mund të bllokojë hetimet për kryebashkiakun e Tiranës Edi Rama. Megjithëse ekzistojnë sipas tij, presionet e klaneve kriminale Berisha i ka quajtur ata të pashpresë, pasi opozita ka siguruar mbështetje ndërkombëtare për hetimin e zotit Rama.
Sali Berisha:- “Opozita ka një mbështetje totale ndërkombëtare, për ngritjen e komisionit dhe ka një mbështetje mbarëkombëtare për ngritjen e këtij komisioni. Kështu që janë të pashpresë, ata që do të përpiqen të mbrojnë strumbullarët e krimit të organizuar siç është Edvin Rama. Ajo që mund t’ju them, të sigurojë një hetim të ndershëm, të paanshëm dhe do të ketë mundësi para mediave të mbrohet sa të dojë”.
Duke shpjeguar edhe njëherë, se Kushtetua nuk pengon ngritjen e një komisioni të tillë hetimor, kreu i demokratëve, i ka bërë thirrje socialistëve ta respektojnë atë në mënyrë që të mos fusin vendin në një krizë kushtetuese.
Sali Berisha:- “Unë jam i sigurt, që klanet e drogës do bëjnë çdo gjë, për të penguar komisionin hetimor. Jam shumë i sigurt, por jam i sigurt se ne do të bëjmë çdo përpjekje të ligjshme për zbatimin e Kushtetutës. Ne nuk jemi për krizë kushtetuese, ne jemi për respektimin e Kushtetutës, pastaj ata të cilët krijojnë krizën kushtetuese të vendit, do të mbajnë të gjitha përgjegjësitë. Kriza kushtetuese heq legjitimitetin e atyre që krijojnë./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço