Shqipëria mund të jetë gati vitin e ardhshëm për të aplikuar si vend kandidat në Bashkimin Evropian, ka thënë kryeministri Sali Berisha në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Reuters.
Aplikimi i Shqipërisë, ka thënë kryeministri, është fillimi i një procesi të gjatë të integrimit në bllokun 27 anëtarësh.
Në intervistën e tij kryeministri argumenton se vendi ynë ka bërë hapa madhore në luftën kundër korrupsionit, uljen e taksave, krijimin e stabilitetit ekonomik dhe investimeve të huaja. Lufta kundër korrupsionit për mua, ka shtuar ai, është epiqendra e gjithçkaje.
Shqipëria, thotë agjencia Forbes, e cila citon këtë artikull të Reuters, ishte dikur një prej vendeve më të varfra të Evropës, por tani jemi dëshmitarë të një rritje të shpejtë ekonomike dhe një bum ndërtimesh.
Përsa i përket Kosovës kryeministri Berisha përsëriti se është absolutisht jo realiste për Shqipërinë që të shqyrtojë mundësinë e bashkimit mes Kosovës, ose krijimin e Shqipërisë së madhe.
Sali Berisha: “Është absolutisht jo realiste. Mendoj se është e qartë për çdo shqiptar të Kosovës se projekti i pavarësisë së Kosovës është projekti për të cilin ata luftuan dhe votuan.”
I pyetur për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, Berisha tha se nuk beson se Beogradi është i gatshëm të sakrifikojë të ardhmen për shkak të së shkuarës, ndërsa për Maqedoninë Berisha shprehu shqetësimin mbi progresin e vonuar të Shkupit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Kjo, tha ai, mund të kthehet në një proces inkurajues për radikalët atje. Maqedonia është tepër e rëndësishme për paqen në rajon, por edhe për atë në Ballkanin Perëndimor.
Kështu përfundon intervistën e tij në agjencinë prestigjioze të lajmeve, Reuters, kryeministri Berisha./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle