Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur sërish tryezën e thirrur nga kryetari i shtetit për t’i dhënë zgjidhjen ngërçit politik.
Berisha e cilësoi një përpjekje serioze pozitive duke ofruar paralelisht angazhimin e mazhorancës për t’i dhënë situatës zgjidhjen më të mirë, por kjo zgjidhje sikundër tha kryeministri duhet të përfshijë vetëm çështje mes dy partive të mëdha dhe jo ato që lidhen me sistemin gjyqësor.
Sali Berisha: “Ne jemi gati që nesër të ngremë komisionin hetimor parlamentar dhe opozita të ketë shumicën në votim, duke garantuar opozitën se jam i hapur të shqyrtoj çdo kërkesë që është midis nesh. Unë gjithashtu theksova se kurrë ndonjëherë as nuk e kam konsideruar, as nuk do ta konsideroj çështjen bilaterale, çështjen e vendimeve gjyqësore. Unë nuk i kam kërkuar asnjëherë, askërkujt, të trajtojë problemet tona me gjykatën. Jo. Ka qenë është dhe do jetë kështu, për gjersa gjykatat janë të pavarura. Mos i bëjmë degë ekzekutivi që s’mund të bëhen kurrë. T’ju jap një rast. Filloi shqyrtimi i zonës së zonjës Arta Dade nga Fehmi Abdiu, u hap kutia e parë, ishte për t’u hap e tëra. U hap kutia, ajo kuti e nxori fituese zonjën Dade. Gjykatësi që po zbatonte në këtë rast, e kuptoni vetë ju çfarë, s’ka nevojë më tutje tha. Kaq ishte. Sepse kutia tjetër përmbyste rezultatin. Nuk kishte rëndësi ajo dhe ne këtë rezultat nuk ia quajtëm Partisë Socialiste, ne këtë rezultat ia quajmë gjykatës.”
Gjatë mbledhjes së grupit kuvendor demokrat, kryeministri i kushtoi një vëmendje të posaçme dhe vizitës dyditore në Itali.
Takimin me homologun Berlusconi Berisha e cilësoi historik, duke iu referuar pikërisht nënshkrimit të dokumentit për partneritet strategjik mes dy vendeve.
Sali Berisha: “Dokumenti i partneritetit strategjik institucionalizon marrëdhëniet e shkëlqyera të derisotme, pra qeveritë angazhohen për mbledhje të përbashkëta vjetore për të shqyrtuar me të gjithë seriozitetin zhvillimet në marrëdhëniet bilaterale. Italia angazhohet të mbështesë fuqishëm projektin evropian të kombit shqiptar, heqjen e vizave, statusin e kandidatit dhe procesin e integrimit. Dimensionet e reja do të fitojnë. Lufta kundër kriminalitetit dhe bashkëpunimi i agjencive të zbatimit të ligjit, njëra me tjetrën.”
Energjia dhe turizmi janë dy fushat ku do të fokusohet vëmendja italiane.
Sali Berisha: “Italia është nga tregjet më të mëdha energjetike në Evropë dhe për Shqipërinë kjo përbën një nga mundësitë më të mëdha për të eksportuar energji drejt vendit tuaj. Tregu është treg. Është përcaktues. Ne ramë dakord të shqyrtojmë mundësinë e bashkëpunimit të gjithanshëm në fushën e energjisë, të ndërtimit të hidrocentraleve, termocentraleve me burime të ndryshme të kabllove nënujore. Mendoj se nga ky takim vizioni energjetik i qeverisë shqiptare ka dalë shumë më i fuqishëm.”
Berisha e Berlusconi trajtuan gjithashtu çështjen e pensioneve të emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në Itali.
Kryeministri italian, Silvio Berlusconi dha garanci për shqyrtimin sa më të shpejtë të kësaj çështjeje./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi