Kryeministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian shprehin mirëkuptimin e tyre për aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti dhe vullnetin për të proceduar me shpejtësi në liberalizimin e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë.

Gjatë takimit që kryeministri Berisha ka pasur në Davos me kryeministrin e Belgjikës, kryeministrin e Danimarkës, presidentin e Lituanisë, presidentin e Letonisë, kryeministrin e Suedisë, si dhe me personalitete të tjera të politikës evropiane ata kanë shprehur vullnetin e tyre për përshpejtimin e këtyre proceseve për vendin tonë.

Sali Berisha: “Ajo çka del në të gjitha këto takime, një vlerësim shumë pozitiv për ecurinë e reformave në Shqipëri dhe një mbështetje nga këto vende për kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit, sikundër dhe një mirëkuptim i plotë për dëshirën e shqiptarëve për të lëvizur pa viza dhe pas plotësimit të kushteve, të cilat unë i garantova të gjithë bashkëbiseduesit e mi se ato po plotësohen në kushtet më optimale”.

Kryeministri Berisha ka qenë i pranishëm gjatë qëndrimit në Davos edhe në takimin privat të zhvilluar me praninë e të gjithë kryetarëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në forum, ku ka prezantuar situatën ekonomike të Shqipërisë.

Sali Berisha: “Përshkrova gjendjen në Shqipëri, e cila kontraston me rritjen e saj ekonomike dyshifrore me në muajt e parë, me likuiditetin shumë të mirë të bankave me kontratat e nënshkruara prej 3.5 miliard euro në fushën e energjisë”.

Gjithashtu kryeministri Berisha është takuar në Davos gjatë ditës së shtunë edhe me kreun e task-forcës kundër korrupsionit në transaksionet ndërkombëtare të biznesit pranë OECD-së, Mark Peith, dhe presidenten e agjencisë kombëtare të bashkëpunimit të Japonisë, zonjën Sadako Ogata, me të cilët ka diskutuar për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit ekonomik ndërkombëtar./tvklan.al