Kongresmeni amerikan, njëkohësisht anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, i njohur si një nga mbrojtësit më të shquar të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare ka përgëzuar kryeministrin Berisha për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.
Në një takim të zhvilluar në Uashington, i pari ky për kryeministrin Berisha, i cili prej të martës gjendet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë së bashku me 160 liderë botërorë në Mëngjesin kombëtar të Lutjeve zoti Engel ka vlerësuar arritjet e Shqipërisë dhe në këtë frymë ka garantuar vazhdimësinë e bashkëpunimit të administratës së re Obama me Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare.
Në bashkëbisedimin e tyre Berisha dhe Engel kanë folur dhe për çështjet e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, ndërsa Berisha duke u ndalur tek zgjedhjet parlamentare ka bërë një ekspoze të gjerë të procesit konsensual të miratimit të kuadrit ligjor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, ndërsa është ndalur në veçanti në përpjekjet e qeverisë shqiptare për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Gjithashtu me ftesë të organizatorëve të mëngjesit kombëtar të lutjeve senatori Tom Coburn dhe kongresmenit Heath Shuler kryeministri Berisha, i shoqëruar nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka marrë pjesë në darkën e zgjeruar me senatorë dhe kongresmenë amerikanë.
Vizita e Berishës në Shtetet e Bashkuara përfshinë dhe takime me sekretaren e shtetit, Hillary Clinton me ish-kandidatin për president, republikanin John McCain, si dhe me përfaqësues diplomatik të Prishtinës në Uashington./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka