Kryeministri Berisha gjatë qëndrimit në Pekin mori pjesë në takimin e Frankofonisë, i ftuar nga sekretari i përgjithshëm i organizatës, Abdou Diouf.

Pjesëmarrësit në takim falënderuan Komitetin Ndërkombëtar Olimpik për përzgjedhjen dhe këtë vit të gjuhës frënge si gjuhë e olimpiadës, krahas gjuhës angleze.

Gjatë këtij aktiviteti kryeministri Berisha u takua me homologë dhe përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse ku në takimet me liderët afrikanë ai diskutoi për zhvillimet në rajon duke u ndaluar veçanërisht në pavarësinë e Kosovës dhe zhvillimet atje.

Kryeministri u ndal tek mundësitë e këtyre vendeve për të njohur pavarësinë e Kosovës duke kontribuuar kështu në paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Sipas kryeministrit Kosova është njohur si shtet i ri në një kohë të shkurtër nga 44 vende dhe po ecën e sigurt drejt rrugës së integrimit.

Në këto takime ishte i pranishëm dhe Ministri i Kulturës, Ylli Pango. Në qëndrimin e tij në Pekin Berisha është takuar dhe me drejtorin e kompanisë ndërkombëtare të materialeve të ndërtimit, Sinoma Group, Tang Zhonming, si dhe me inxhinierin, Go Shing, drejtor nderi i saj.

Kjo kompani ka hapur tashmë filialin e saj të rëndësishëm në Shqipëri, Canbi, në fushën e prodhimit të çimentos në Fushë-Krujë dhe po vazhdon me sukses aktivitetin e saj.

Drejtuesit e kompanisë u shprehën se ndihet një klimë shumë e favorshme për biznesin ndërkombëtar, si nga qeveria shqiptare, ashtu edhe nga vetë shqiptarët.

Sipas tyre kjo klimë ka nxitur rritjen e investimeve në Shqipëri dhe ka sjellë një perspektivë të qartë optimiste për investime të mëtejshme.

Ndërsa kryeministri Berisha ka garantuar drejtuesit e kompanisë së njohur se qeveria shqiptare do të tregojë vëmendjen dhe mbështetje të vazhdueshme për kompani të tilla prestigjioze nga vendi mik.

Kreu i qeverisë i njohur biznesmenët kinezë me ecurinë e reformave ekonomike në vend duke u ndalur tek lehtësitë që ofron sistemi fiskal./tvklan.al