Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka nisur me Vlorën njohjen nga afër të gjendjes së strukturave në bazë, pak muaj para zgjedhjeve lokale. Në një aktiv të zgjeruar me degën e Vlorës, Berisha ka prekur problemet, që sipas tij janë më shqetësueset dhe që duhen zgjidhur nga forca më e madhe e opozitës në vend, në mënyrë që të sigurohet fitorja në zgjedhjet lokale. Një nga këto prioritete, Berisha ka veçuar forcimin e marrëdhënieve me aleatët e opozitës.
Sali Berisha:- “U provua se kush është alternativa dhe ku qëndron alternativa ndaj tre problemeve madhore të vendit. Krimit të organizuar, korrupsionit dhe reformës institucionale, mirëpo të gjitha këto kanë vlerën e tyre, por unë dua t’ju them se pa organizimin tuaj, pa konsolidimin e seksioneve, pa konsolidimin e nëndegëve, pa hapjen e Partisë Demokratike, si një parti e vlerave, si një parti e qytetarëve e punonjësve të fshatit e qytetit, të cilët besojnë në vlera të përbashkëta. PD duhet të përpiqet t’i gjejë të gjithë anëtarët e saj ku janë dhe ju duhet të punoni këtu, jo me idenë e injorimit të aleatëve, por me idenë e vlerësimit dhe të nderimit të aleatëve. Kështu PD duhet të hapet ndaj intelektualëve, ndaj aktivistëve dhe anëtarëve të saj, duhet detyrimisht të shtojë radhët me të rinj”.
Duke qenë në Vlorë, një nga qytet port të vendit, zoti Berisha nuk ka anashkaluar situatën ekonomike në vend. Ai ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Nano, se po shkatërron biznesmenët e ndershëm, jo vetëm me taksat e larta por edhe me lidhjet e tij me krimin e organizuar.
Sali Berisha:- “Ne nuk jemi komb gangsterësh, nuk jemi komb kriminelësh, në të kundërt, pse ne të pranojmë më tutje këtë situatë. Disidentët nuk vijnë dot në Shqipëri, nëse nuk ndërrohet kjo qeveri. Kjo qeveri është për t’u ndërruar. Kjo qeveri është e dështuar, ndaj dhe është shumë e rëndësishme, që të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme”./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço