Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Tani nuk ka më asnjë dyshim se Partia Demokratike nuk do të tërhiqet nga pozicioni i sulmit, kundër kryeministrit Fatos Nano dhe kabinetit të tij qeveritar. Lideri i opozitës Sali Berisha ka thënë qartë, se e vetmja zgjidhje për të larguar Nanon dhe socialistët nga pushteti, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, duke nënkuptuar me këtë edhe zgjedhje të parakohshme. Duke respektuar këtë rrugë, demokratët do të kursejnë një mocion kundër kabinetit Nanon.
Sali Berisha:- “Zgjidhja është zgjedhjet e lira dhe të ndershme për vendin dhe unë edhe njëherë dua të theksojë këtu se zgjidhja e vetme që do i japë mundësi për të zgjidhë këto probleme dhe për t’i dhënë fund kësaj babëzie të shfrenuar dhe të papërmbajtur, janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Me këtë nënkuptojë zgjedhje në momentin më të shpejtë, që të krijohet kuadri ligjor dhe kushtet për zhvillimin e tyre”.
Zoti Berisha e mbajti këtë qëndrim, pasi kryeministri mbylli javën me një analizë tjetër plotë akuza në Ministrinë e Financave. Por për kreun e demokratëve, ky është stili i vjetër i Nanos, për të mbuluar dështimin e tij në dogana, rritjen e kontrabandës dhe evazionit fiskal, dështimin në investimet publike dhe rritjen e nivelit të papunësisë.
Zoti Berisha nuk ka harruar as t’i kthejë përgjigje kryeministrit, i cili gjatë analizës në Ministrinë e Financave i kërkoi ish-presidentit t’i thotë publikut sa para u ka marrë disa biznesmenëve për t’i nxjerrë nga burgu.
Sali Berisha:- “Akuzat e djeshme të kryetarit të qeverisë në adresën time, provojnë qartë dhe katërcipërisht se ato ishin elementë thelbësorë, i tenderit me të cilin Nano emëroi shokët e tij të armëve në krye të doganave të Shqipërisë, mesa duket atij i është premtuar pafajësia”./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço