Lajme Arkiva 2003
Kryetari i Partisë Demokratike Berisha ka paraqitur skemën e kësaj partie për aleatët për zgjedhjet e tetorit. Ai ka ofruar nga kandidatët e përbashkët zonat e lira për zgjedhjet lokale si dhe cilido aleatë nga koalicioni që fiton më tepër vota do t’i jepet posti i nënkryetarit të bashkisë apo komunës. Këtë lideri Berisha e ka shpalosur në mbledhjen e grupit parlamentarë të Partisë Demokratike. Ai u shpreh se përpjekjet për zgjerimin dhe konsolidimin e koalicionit vazhdon me sukses.
Sali Berisha: Unë gjykoj se kjo skemë merr plotësisht parasysh elektoratin e qendrës së djathtë. Dëshmon vullnetin e Partisë Demokratike për të ndarë, për të qeverisur së bashku, për të qeverisur së bashku bashkitë dhe komunat e vendit me aleatët e saj. Konstatojmë më kënaqësi se marrëveshja është konkluduar me republikanët. Sot është bërë një takim realisht i frytshëm me Partinë Demokrate të re të kryesuar nga zoti Pollo. Parti të tjera kanë treguar interes dhe vlerësim real për të bashkërenduar përpjekjet në këto forma të koalicionit.
Partia Demokratike kërkon ndarjen e pushtetit me aleatët, po kështu në mbledhjen e grupit parlamentar Berisha ka përmendur edhe rezolutën që do ti dërgohet parlamentit ku ti kërkohet presidentit ngritja e një komisioni Ad Hoc për çështjen e “Nënë Terezës” gjithashtu problem për të është autonomia e universiteteve e cila sipas Berishës cënohet nga dy ministrat ai i Financave Kastriot Islami dhe ministri i Arsimit Luan Memushi./tvklan.al