Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur në një Konference për shtyp aprovimin e kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit të venit kandidat në BE nga ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të bllokut.
Duke e cilësuar si një vendim historik, kreu i qeverise tha se në themel të tij qëndrojnë reformat e ndërmarra nga qeveria dhe zgjedhjet e 28 qershorit që përmbushen standardet kryesore të OSBE-ODHIR-it.
Sali Berisha: “Ky vendim unanim i ministrave të jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së është një vendim historik sepse ky përbën vendimin politik më të rëndësishëm të BE-së këto 18 vitet e fundit për Shqipërinë. Reformat e thella të gjithanshme, lufta kundër krimit të organizuar me zero tolerancë dhe korrupsionit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme të 28 qershorit që përmbushën standardet kryesore të OSBE-ODHIR-it qëndrojnë në këto themele të këtij vendimi historik”.
Ndërsa duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për zgjidhjen e krizës politike me opozitën, kryeministri tha se vendimi i ministrave të jashtëm të BE-së është apeli më i mirë që i bëhet opozitës për të bashkëpunuar me këtë maxhorancë.
Gazetarja: Zoti kryeministër nuk është për herë të parë që ju e bëni këtë apel ndaj opozitës, po mesa duket deri më tash nuk ka funksionuar kjo gjë sepse opozita vijon të jetë jashtë dyerve të parlamentit. Do të ketë një protestë të radhës, nuk dihet ende skenari i kësaj proteste në datë 20 Nëntor. A ka mazhoranca një zgjidhje që mund ta zgjidhte këtë ngërç le të themi sepse ju folët për reforma, po kujtoj këtu që do duhet dhe 3/5 për shumë reforma që kanë të bëjnë me drejtësinë?
Sali Berisha: “Vendimi i sotme është apeli më i fuqishëm për bashkëpunim, apeli më i fuqishëm për të çuar përpara këtë proces në interesin më të mirë të qytetarëve të vendit. Ky vendim nuk do merrej me 16 nëntor të 2009, as të 2010, as të 2011 në qoftë se zgjedhjet në Shqipëri nuk do të përmbushnin standardet kryesore të OSBE-së. Kam qenë dhe do mbetem i hapur për të bashkëpunuar me opozitën siç kam bashkëpunuar në lojalitet të plotë, në reforma më të thella dhe e vërteta është me zotin Rama me një arkiv shumë të pasur bashkëpunimi. Këto procese siç po faktoj njëri pas tjetrit vendimet e Brukselit nuk mund të ndalen. Nuk mundet kurrë të heqësh gurin e themelit të demokracisë në emër të saj. Të pretendosh të shkelmosh mbi vendimet e gjykatave në rrugë politike, kjo nuk mund të bëhet për asnjë çmim”.
Në këtë konferencë kreu i ekzekutivit tha gjithashtu se tashme Shqipërisë i lindin detyra që të përmbushë pyetësorin për anëtarësimin në BE./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi, Eno Luarasi