Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Lideri i opozitës Sali Berisha, ka publikuar pak orë përpara fillimit të debateve për raportin e Komisionit Europian, për Shqipërinë, propozimet e PD, për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, dhe vendosjes së shtetit ligjor në vend. Ndër masat më të rrepta zoti Berisha ka propozuar shpalljen e korrupsionit vepër penale, heqjen e imunitetit për 5 vjet të zyrtarëve, ngritjen e gjykatës së llogarive me të drejtë vendimi të pa revokueshëm për aktet e korrupsionit.

Ndërsa për krimin e organizuar, spikasin propozimet,  për ngritjen e xhandarmërisë së shtetit dhe derisa të krijohet struktura, funksionet t’i marrin forcat speciale të ushtrisë, riorganizimin e Ministrisë së Rendit dhe shërbimeve sekrete dhe eliminimin e personave të inkriminuar nga këto struktura. Ndalimin e të gjitha llojeve të skafeve në bregdet për një periudhë trevjeçare, si dhe miratimin e një pakete anti-krime me dënime fikse për kriminelët.

Zoti Berisha ka deklaruar, se këto do të jenë baza e programit elektoral të PD dhe me këto do të negociohet me BE, deri në largimin e kryeministrit Nano dhe PS nga pushteti.

Sali Berisha:- “Ne do i paraqesim aty, do të jemi vlerësues në rast se do të gjendet mirëkuptimi për një pjesë të tyre, pjesa tjetër do të jetë pjesë e programit të PD. Propozimet ne i bëjmë, të bindur se me Fatos Nanon, Shqipëria shkon drejt fshatit të Corleones dhe jo drejt BE. Ndaj edhe largimi i tij nga qeveria dhe shkuarja drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme është rruga e vetme, që do mund t’u japë përgjigjen e merituar të gjitha këtyre problemeve”./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço