Demokratët janë rikthyer në sheshin “Skënderbej” për të protestuar për manipulimin e votave nga pushtetarët. Duke i ftuar militantët dhe simpatizantët në protesta të përditshme dhe të përnatshme, kryetari Berisha tha se asgjë nuk do të mposhtë protestën e demokratëve deri në fitoren e plotë.
“Sot ne nisim protestën tonë të përnatshme dhe të përditshme. Ftoj qytetarët shqiptarë të bashkohen në mbrojtjen e votës së lirë,në mbrojtjen e të drejtës më themelore të individit të lirë, të shoqërisë së lirë. Lazaretërit e Tiranës që me para droge, krimi, me taksat dhe doganat e vjedhura ndërtojnë lumturinë e tyre. Paguajnë avokatët e tyre, duhet të marrin mësimin që meritojnë nga demokratët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë. Asgjë nuk do të mposhtë protestën tonë. Vota e lirë është zemëreku i lirisë. Në rast se ndalon ajo, liria pushon së funksionuari, liria pushon së punuari. Ajo shndërrohet në hapësirë boshe dhe shtrohet në një opsion të vdekur.”
Pas mitingut lideri Berisha nuk i ka shoqëruar protestuesit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ndalesa e parë e protestuesve ka qenë Ministria e Rendit ku janë hedhur parrullat “qeveri hajdute”, “poshtë qeveria”, “Azem, ti je gjallë”. Demokratët e kanë mbyllur protestën përpara Kryeministrisë për t’u kthyer sërish në shesh ku protestat do të jenë të përditshme./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame