Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Një raport i ri i FMN-së, që rendit Shqipërinë ndër vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit, i ka dhënë një shans tjetër liderit të opozitës Sali Berisha, për të sulmuar kryeministrin socialist Fatos Nano. Me një fjalor të ashpër, ku dënoi lidhjet e politikës me krimin, zoti Berisha bëri përgjegjësin kryesor për këtë situatë dramatike, kryeministrin Nano.
Sali Berisha:- “Shtrati i ngrohtë, sera e krimit të organizuar në Shqipëri është padyshim, korrupsioni i zyrtarëve, apo me fjalë të tjera, krimi ekonomik i qeveritarëve shqiptarë. Është pikërisht ky krim ekonomik, që mban, që ushqen, që inkurajon, që organizon, klanet kriminale të vendit dhe krimin në tërësi. Parlamenti, duhet t’i japë përgjigje sistemit të Nanos dhe Papadhimës, se në fund të fundit, akritekt i këtij sistemi është kryeministri Nano”.
Raporti i FMN-së i publikuar gati paralelisht me atë të KLSH, ndryshon shumë me këtë të fundit, pasi në raportin e kryetarit të këtij institucioni Mustafa Kërçuku, nuk zbulohen shpërdorime të konsiderueshme financiare, siç vazhdojnë të këmbëngulin institucionet ndërkombëtare financiare.
Sali Berisha:- “Dua t’u them edhe njëherë këtu, se Kërçuku është një nga strumbullarët kryesor të ekonomisë kriminale dhe krimit ekonomik në Shqipëri”.
Zoti Berisha nuk preferoi të japë detaje, por kanë njoftuar se javët e ardhshme opozita do të ndërmarrë të tjera iniciativa për të ndërprerë siç shprehet ai lidhjet e politikës me krimit./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço