Momentet historike të themelimit të “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” janë risjellë në Galerinë Kombëtare të Arteve përmes një ekspozite ku janë paraqitur 37 vepra në pikturë dhe skulpturë.

Veprat e 21 autorëve të njohur janë realizime që i përkasin harkut kohor 1917-1984, të cilat vijnë si një kujtesë e rëndësishme në historinë e popullit tonë.

Mes figurave të njohura të artit dhe kulturës mbarëkombëtare në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha, dhe zonja e tij.

Sali Berisha: “Lidhja e Prizrenit i gjen sot shqiptarët më të lirë se kurrë në tërë historinë e tyre. Sot ne kremtojmë këtë ngjarje të madhe më të lirë, kremtojmë në një kohë kur Shqipëria dhe Kosova janë tashmë dy vende të lira, të pavarura, që ecin të sigurta drejt të ardhmes së tyre evropiane”.

Përmes kësaj ekspozite janë sjellë në vëmendje dhe personazhe e udhëheqës të rëndësishëm të Lëvizjes Shqiptare për Pavarësi.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 18 Qershor dhe është organizuar nga Ministria e Kulturës nën patronazhin e kryeministrit të vendit./tvklan.al