Italia një prej mbështetësve më të fuqishëm të liberalizimit të vizave mes Ballkanit dhe Bashkimit Europian ka kërkuar mbajtjen e një samiti mes Brukselit, vendeve të Ballkanit dhe Shteteve të Bashkuara në lidhje me këtë çështje. Samiti do të mbahet gjatë gjysmës së parë të vitit 2010. Iniciativa për këtë samit vjen pak ditë para se Italia të marrë presidencën e radhës të iniciativës së Adriatikut dhe Jonit.
Një nga prioritetet më të forta të kësaj presidence do të jetë forcimi i marrëdhënieve mes Ballkanit dhe BE-së, duke nisur nga liberalizimi i regjimit të vizave me të gjitha vendet e rajonit . Sipas zv/ministrit të jashtëm Italian, Alfredo Mantica, kjo iniciativë është ndërmarrë nga vetë kryediplomati Franko Frattini, i cili ka përpiluar edhe planin 8 pikësh për integrimin e rajonit në Europë.
Ndër të tjera, presidenca italiane do të fokusohet në disa çështje të tjera me rëndësi për Ballkanin, siç është edhe konflikti për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, por dhe krijimi i një rrjeti europian që do të përfshijë shumë shtete ballkanike për të kontribuar në stabilizimin e tyre dhe në futjen e tyre të menjëhershme në bllokun europian./tvklan.al