Në Londër të Mbretërisë së Bashkuar u mbajt një takim i parë i Ministrave të Brendshëm, të vendeve pjesëmarrëse të ‘Procesit të Berlinit’ dhe Bullgarisë (si vendi pritës i Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të 17 Majit).
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj vlerësoi organizimin e Samitit, si një mundësi për të diskutuar dhe dakordësuar forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal.
“Shqipëria, e konsideron luftën kundër krimit të organizuar si prioritet thelbësor dhe për këtë është duke ndjekur një qasje gjithëpërfshirëse dhe ndër-institucionale, e mishëruar në një Task Force Speciale, (e ngjashme me modelin Table Mate në Mbretërinë e Bashkuar), e cila bën bashkë të gjitha agjencitë relevante brenda vendit, të ngarkuara me përgjegjësi ligjore në këtë drejtim. E parë në kontekstin e mësipërm, jemi duke thelluar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, britanikë, gjermanë, italianë, austriakë dhe agjencitë ligjzbatuese të këtyre vendeve. Jo për shkak se ndodhem këtu në Londër, por bashkëpunimi me autoritetet britanike dhe me NCA është një ndër modelet qe ne duam të ndjekim në organizimin e strukturave tona në këtë fushë”
, u shpreh Ministri Xhafaj.
Ministri i Brendshëm evidentoi gjatë fjalës në Samit, rezultatet e Task Forcës Speciale për identifikimin dhe arrestimin e një sërë grupesh kriminale me rrezikshmëri të lartë, përfshi edhe hetimin e aseteve të tyre.
Një tjetër prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme është lufta kundër terrorizmit, e këtu sipas Xhafaj, Shqipëria është kontributore e palodhshme në përpjekjet globale për parandalimin dhe luftën kundër terrorizmit.
Ministri i Brendshëm risolli në vëmendjen e ministrave të Brendshëm propozimin për ngritjen e Qendrës Rajonale të Bashkëpunimit Policor, bërë më herët në takimin e Triestes vitin e kaluar.
Ai shtoi se forcimi i sigurisë në Ballkan kërkon padyshim vijimin pa hezitim të procesit të integrimit Evropian.
“Unë besoj se kjo është në interes të rajonit dhe i shërben më së miri interesave që lidhen me sigurinë e kontinentit evropian. Nuk mund të ketë Evropë të fortë në përballimin e sfidave të sigurisë, krimit të organizuar dhe terrorizmit, pa Ballkanin e përfshirë në proceset integruese”
, tha ministri Xhafaj.
Në fund të punimeve të Samitit të Londrës, palët pjesëmarrëse miratuan një deklaratë, në krye të së cilës ishte angazhimi për përballjen e përbashkët me kërcënime të sigurisë, përfshirë krimin e organizuar, ekstremizmin e dhunshëm, terrorizmin dhe financimin e terrorizmit, korrupsionin, pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandimin e migrantëve, trafikimin e armëve dhe drogave si dhe kërcënimet ndaj sigurisë kibernetike.
Ministrat e Brendshëm pranuan se këto kërcënime janë transnacionale dhe kërkohet thellimi i bashkëpunimit rajonal dhe ngritjen e nivelit të reagimit kolektiv.
Në deklaratë pranohet progresi i bërë në forcimin e kësaj përgjigjeje të përbashkët dhe u sigurua përkrahje e iniciativave për sigurinë dhe migracionin. Palët dakordësuan bashkëpunimin midis institucioneve të zbatimit të ligjit në fushën e shkëmbimit të informacionit.
Ministri Xhafaj pati takime me homologë të vendeve të rajonit gjatë punimeve të Samitit. Samiti i ardhshëm do të mbahet në vitin 2019, në Varshavë të Polonisë./
tvklan.al