Në ditën e dytë dhe të fundit të samitit informal të presidenteve të rajonit që po mbahet në Vlorë, krerët e katër shteteve, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë konfirmuan vullnetin e tyre për intensifikimin e dialogut mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pjesëmarrës për herë të parë në një takim të këtij niveli, dhe ai maqedonas, George Ivanov shprehen angazhimin e plotë, se njohja e pavarësisë së Kosovës do të rrisë nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke i dhënë në këtë mënyrë fund keqkuptimeve të krijuara.
Fatmir Sejdiu: “Shtetet tona janë shtete që kanë njohur njëra-tjetrën. Janë vizion i përbashkët për ecje të proceseve të më ardhshme në proceset integruese euroatlantik. Kosova është një vend i ri, i njohur nga 60 vende të botës. Unë shpreha konsideratën për njohjet që kanë bërë edhe vendet fqinje, jemi në kohë të re, jemi në kohë të kontributit të përbashkët për paqe dhe stabilitet.”
George Ivanov: “Ne si byro shteti kemi për detyrë që ky komunikim dhe tani më edhe kjo lëvizje e cila tani ekziston që të vazhdojmë dhe të ndikojmë që ai të rritet dhe të intensifikohet edhe më shumë. Është momenti i vërtetë për të parë këtë pjesë të rajonit si pjesë të Ballkanit, si pjesë të Mesdheut dhe pjesë të Evropës.”
Në takimin mes tyre krerët e katër shteteve diskutuan edhe mbi kërkesën e presidentit malazez Vujanoviç për njohjen nga Kosova të minoritetit malazez, kërkesë që hasi në mirëkuptimin e plotë të presidentit Fatmir Sejdiu.
Filip Vujanoviç: “Me presidentin e Kosovës me zotin Sejdiu kam biseduar rreth marrëdhënieve tona, një është çështja e trajtimit të pakicës malazeze në Kosovë i cili nuk ka një trajtim normativ të pakicës, e cila nuk është në vendimin kuvendor të Kosovës, e cila siguron përfaqësim autentik për pakicat e Kosovës.”
Bamir Topi: “E re mjaft pozitive që kalon rajoni i Ballkanit Perëndimor, me aspiratën e përbashkët Euroatlantike të vendeve tona, me nevojën e thellimit të dialogut politik midis nesh, me evidentimin e një situate të re gjeopolitike në rajon dhe kuptohet në bazë të dialogut mjaft të mirë politik, del nevoja e intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike midis vendeve tona.”
Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, i cili ishte dhe nismëtar i këtij samiti theksoi rëndësinë e veçantë që kanë takime të tilla në përforcimin e imazhit që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përcjellin tek partnerët e tyre ndërkombëtar./tvklan.al