Të gjesh një adresë të saktë në Shqipëri jo vetëm për turistët e huaj por dhe vetë qytetarët shqiptarë, ndodh shpesh të jetë mision i vështirë dhe ndonjëherë dhe i pamundur.
Ka pasur shumë projekte për sistemin e adresave, më i fundit është miratuar këtë të mërkurë nga Këshilli i Ministrave.
Në projektligjin që pritet t’i dërgohet për miratim Parlamentit, janë bërë disa ndryshime që në final synojnë të krijojnë një regjistër unik adresash dhe një numër unik për çdo ndërtesë, banesë apo biznes në territorin e vendit.
“Nëse deri më tani kemi pasur regjistra adresash nga institucione të ndryshme një te Kadastra, një te Bashkia, një tjetër tek OSHE-ja apo të tjerë, sot do të kemi një regjistër unik në patronitetin e Ministrisë së Brendshme dhe po ashtu çdo banesë, çdo biznes, çdo ndërtesë në Republikën e Shqipërisë do të ketë një kod unik i pa replikueshëm bashki të ndryshme, pra në të gjitha banesat në Republikën e Shqipërisë do të kenë kodin e tyre unik”, tha ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Paralelisht strukturat në varësi të Ministrisë së Brendshme po bashkëpunojnë dhe me kompaninë Google për të integruar ndryshimet që do i bëhen adresarit duke i dhënë akses qytetarëve që përmes numrit unik të gjejnë destinacionin e saktë të kërkuar.
Ndërkohë ky informacion mund të gjendet dhe në faqen e internetit adresari.gov.al, ku çdokush mund të shprehë dhe shqetësimin e tij për mosgjetjen e adresave të caktuara.
Tv Klan