Reperit Sean “Diddy” Combs i është mohuar lirimi me kusht pasi u deklarua i pafajshëm në një rast të trafikimit seksual. Gjykata në New York e ka në paraburgim reperin pasi prokurorët argumentuan se ai ishte një rrezik serioz.
54-vjeçari u arrestua të hënën në mbrëmje, i akuzuar për drejtimin e një sipërmarrje kriminale të paktën që nga viti 2008 që mbështetej në lëndë narkotike dhe dhunë për të detyruar femrat që të plotësonin dëshirat e tij seksuale.
Një aktakuzë prej 14 faqesh e akuzon atë për shantazh, trafik seksual me forcë dhe transport për t’u angazhuar në prostitucion. Nëse shpallet fajtor për të 3 akuzat, reperi përballet me një dënim prej 15 vitesh deri në burgim të përjetshëm.
BBC shkruan se ai kishte veshur një bluzë të zezë dhe pantollona sportive gri gjatë paraqitjes të martën në gjykatë. Ndërsa u pyet nga gjyqtari se si dëshironte që të deklarohej, “Diddy” u ngrit në këmbë dhe tha: I pafajshëm.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Combs ushtronte fuqinë e statusit të tij për të joshur viktimat femra të përfshiheshin në akte seksuale të quajtura “Freak Offs”. Në aktakuzë thohet se gjatë “Freak Offs”, reperi shpërndante një sërë substancash për t’i mbajtur viktimat të bindura.
Në një konferencë shtypi, prokurori amerikan Damian Williams tha se janë gjetur armë zjarri, municione dhe më shumë se 1000 shishe lubrifikant gjatë bastisjeve në shtëpitë e Combs në Miami dhe Los Anxhelos, rreth 6 muaj më parë. Prokurori shtoi se agjentët kishin gjetur gjithashtu 3 armë zjarri në shtëpitë e reperit./tvklan.al