Gjashtë padi të reja janë ngritur ndaj Sean “Diddy” Combs, duke përfshirë edhe një akuzuese që deklaron se ka qenë minorene në momenti që është droguar dhe sulmuar nga producenti.

Për herë të parë që prej muajve që kjo çështje është ngritur, citohen dhe akuzohen të famshëm të tjerë për pjesëmarrjen në një prej sulmeve, edhe pse nuk janë identifikuar.

Paditësit janë tri gra dhe tre burra, të cilët janë quajtur me emrat Jane/John Doe. Të gjithë, përveç njërit thonë se ishin droguar nga Combs.

Në një padi, Jane Doe, njëra prej akuzueseve thotë se ishte 13 vjeçe në vitin 2000 kur një shofer limuzine e ftoi të shkonte në një festë të Combs në Nju-Jork për MTV VMA. Pasi kishte pirë diçka, Doe thotë se ndihej e trullosur dhe kërkonte një vend të shtrihej. Combs, bashkë me dy të famshëm të tjerë, një burrë e një grua, emrat e të cilëve nuk janë publikuar, hynë në dhomën ku gjendej 13-vjeçarja.

Paditë ngrihen mbi akuza për përdhunim, sulm seksual, ngacmim seksual dhe mbajtje peng nga Combs mes viteve 2000-2022 në Nju-Jork, Los Anxheles dhe Las Vegas. Të gjitha ngjarjet ndodhën në festat e organizuara nga Combs.

Në akuzën e Jane Doe thuhet se Combs i tha “je gati për të festuar!”

Personazhi tjetër i famshëm që e shoqëronte Combs, përdhunoi Doe ndërsa producenti dhe gruaja e shihnin. Më pas, vazhdoi ta përdhunonte Combs ndërsa ata të dy qëndronin duke e parë.

Përfaqësuesit e Combs kanë thënë se: “Në gjykatë do të dalë e vërteta: Z. Combs nuk ka sulmuar kurrë dikë seksualisht, të rritur apo minoren, burrë apo grua”.

Prokurorët federalë e kanë akuzuar producentin për orkestrimin  e një “ndërmarrjeje kriminale” përmes perandorisë së tij të biznesit që përfshin prostitucionin, punën e detyruar, rrëmbimin dhe dekada të tëra abuzimi ndaj grave. Ai e ka deklaruar veten të pafajshëm ndaj akuzave për prostitucion, skema mashtrimi dhe transport me qëllim prostitucionin.

Combs ndodhet në burg në Nju-Jork në pritje të gjyqit që do të nisë në maj./tvklan.al