Prej afro 6 orësh, deputetët debatuan për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Anëtarët e grupit të punës së dy forcave kryesore politike mbrojtën propozimet e dakordësuara. Damian Gjiknuri hodhi poshtë qendrimet se kodi i ri mbyll garën duke theksuar se në lojë do të jenë 40 mandate.
Damian Gjiknuri: Edhe sikur të kemi listat 100%, e dini sa mandate do të ndryshonin në renditje, referuar rezultatit të 2021? Vetëm 34 mandate dhe nuk do kishim garanci për kuotat gjinore. Me sistemin e hapur në lojë, duke respektuar kuotat gjinore, do të ishin në lojë 22 mandate. Ndërsa sot kemi në lojë 40 mandate. Pra miti i mbylljes së konkurencës rrëzohet me shifra
Lulzim Basha foli për pazar mes Ramës dhe Berishës, ndërkohë që qëndrimet e socialistëve, u kundërshtuan nga disa deputetë të tjerë të opozitës. Por Bylkbashi dhe Bardhi mbrojtën ndryshimet në Kodin Zgjedhor duke kritikuar për qëndrimet Bashën dhe deputetët që e mbeshtesin atë.
Sipas ndryshimeve të dakordësuara mes palëve, 1/3 e listës së kandidatëve për deputetë do jetë e mbyllur dhe nuk do t’i nënshtrohet votës preferenciale. Ndërsa 2/3 e saj e hapur, ku garuesit brenda secilës forcë politike do të luftojnë mes tyre. Në këtë mënyrë, çdo subjekt do të duhet të dërgojë dy lista në KQZ.
Një tjetër ndryshim që pritet të votohet i përket respektimit të kuotave gjinore. 26 deputetë të Kuvendit kanë propozuar nje amendament që 1 në 3 nga kandidatët fitues nga lista e hapur, duhet të jetë grua. Ky propozim është bërë nga 26 deputetë dhe është pranuar nga drejtuesit e grupit të punës për Reformën Zgjedhore. Për miratimin e këtyre ndryshimeve të Kodit Zgjedhor nevojiten 84 vota.
Klan News