E konsideruar si autostrada e vdekjes segmenti rrugor Lezhë-Fushë Krujë mbetet një nga akset më problematike përsa i përket aksidenteve.

Sërish shpejtësia tej normave të lejuara, kryqëzimet e shpeshta dhe mungesa e sinjalistikës janë shkaku kryesor i këtyre aksidenteve.

Për t’i eliminuar policia rrugore ka përforcuar shërbimet me patrulla suplementare në akset kryesore duke u vendosur në pikat e zeza, aty ku dhe numri i aksidenteve është më i lartë.

Me shtimin e automjeteve ditët e fundit trafiku është rënduar, ndërsa janë vendosur postblloqe në të gjitha gjatësitë e segmentit.

Maxhun Hajdari: “I kemi shtuar numrin e patrullave të qarkullimit rrugor në akset kryesore dhe gjobat kanë qenë maksimale konform ligjit. Për shpejtësi parakalime të gabuara, mosmbajtje krahu, mosmbajtje distance. Patrullat e shërbimit të qarkullimit rrugor kanë qenë non stop në punë, vazhdojmë detyrën konform ligjit.”

Kontrollet janë përqendruar tek drejtuesit që nuk disponojnë dokumente, apo edhe ata që lëvizin tej normave të shpejtësisë.

Masat me sanksione plotësuese deri në heqjen e lejes së drejtimit janë penalizimet për drejtuesit e automjeteve të cilët janë në kundravajtje dhe nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

“Për shpejtësi, parakalime të gabuara, mosmbajtje krahu, për të gjithë këto kundravajtje që janë burim për aksident.”

Për t’i ardhur në ndihmë trafikut të rënduar janë vendosur dhe patrulla suplementare, kryesisht në zonat turistike, ndërsa në bashkëpunim dhe me forcat e rendit po kontrollohen të gjitha automjetet të cilat nuk disponojnë dokumente të rregullta.

Këto masa të reja të marra nga sektori i qarkullimit rrugor në Lezhë vijnë në një kohë kur rrugët në këtë zonë konsiderohen të pasigurta, ndërsa ka gjithnjë një fluks në rritje kjo për shkak të sezonit turistik./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani