Lajme Arkiva 2003

Ndërsa minutat ngushtonin hapësirën e mbërritjes në Shqipëri të sekretarit amerikan Colin Powell, aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” ngjante më një kështjellë të populluar vetëm nga roje të armatosura bodyguard, gazetarë dhe kameramanë dhe kur gjithçka ishte nën kontrollin e autoriteteve të ambasadës amerikane dhe shtetit shqiptar.

Gjatë gjithë kohës kur avioni i American States of America pritej të ulej në aeroport kudo është vënë re zyrtarizmi i skajshëm për pritjen e zotit Powell që ka shkaktuar edhe pezullimin e çdo aktiviteti tjetër si në aeroport ashtu edhe gjatë gjithë rrugës deri në Tiranë.

Ka qenë tepër i përpiktë sekretari amerikan i shtetit Colin Powell i cili ka mbërritur në aeroportin e Rinasit në orën 11:05 minuta. I qeshur dhe me ecje sportive zoti Powell ka zbritur në aeroportin ndërkombëtar i cili ishte i blinduar si asnjëherë tjetër nga masat e tjera të sigurisë.

Me saktësinë dhe zhdërvjelltësinë e një ushtaraku përshëndetjet e para të sekretarit amerikan të shtetit nga autoritetet e larta shqiptare që kishin dalë për ta pritur ka zgjatur vetëm pak minuta.

Zoti Powell është takuar fillimisht me ambasadorin James Jeffrey e më pas me kryeministrin Fatos Nano dhe me Ministrin e Jashtëm Ilir Meta me të cilët ka zhvilluar një bisedë krejtësisht formale para nisjes për në Tiranë.

Më pas zyrtari i lartë amerikan është drejtuar për në Tiranë me një makinë të blinduar të ambasadës e cila është ndjekur nga eskorta e personaliteteve dhe forcave të shumta të sigurisë dhe të policisë që kanë pezulluar për një kohë të konsiderueshme jetën nga aeroporti i Rinasit deri në  kryeqytet./tvklan.al