Serbia ka dëbuar ambasadoren e Malit të Zi, Anka Vojvodiç, duke e shpallur atë person të padëshirueshëm.
Ky veprim përbën shenjën e parë të tensioneve mes Beogradit dhe Podgoricës pas njohjes që kjo e fundit i bëri pavarësisë së Kosovës.
Ndërkohë ambasadori serb në Malin e Zi, Zoran Lutovaç, nuk përjashtoi mundësinë që Beogradi të ngrejë padi kundër republikës me të cilën ka qenë në federatë deri në vitin 2006.
Të njëjtën gjë pritet që Beogradi të bëjë edhe kundër Shkupit, madje dhe t’ia vështirësojë procesin e negociatave me Athinën për çështjen e emrit.
Pas njohjes që Mali i Zi dhe Maqedonia i bënë shtetit më ri të Evropës Beogradi u shpreh shumë i zhgënjyer.
I menjëhershëm ishte reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit që tha se kjo do të ndihmojë të gjithë rajonin të lëvizë më shpejt drejt integrimit euroatlantik.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Sean McCormack, tha se rritja e numrit të vendeve që e kanë njohur Kosovën është vërtetimi i përparimit të saj në vendosjen e një shoqërie stabël, multi-etnike dhe demokratike që synon ndërtimin e raporteve normale politike dhe ekonomike me fqinjët e saj dhe në përgjithësi me bashkësinë ndërkombëtare.
Në një konferencë për shtyp në Prishtinë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, mirëpriti vendimin e Podgoricës dhe Shkupit duke thënë se ato veç të qenit të përgjegjshme ndihmojnë dhe lehtësojnë integrimin euroatlantik të rajonit.
Përsa i përket vendimit të Serbisë Thaçi ka deklaruar se Beogradi është i pafuqishëm të imponojnë vullnetin e vet kundër Kosovës në vendet e rajonit.
Analistët vendas e përshëndetën këtë vendim duke thënë se ai ka ardhur pikërisht në momentin e duhur duke rrëzuar kështu ndjenjën e triumfit në Serbi pas miratimit që asambleja e përgjithshme e OKB-së i bëri rezolutës së Beogradit./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle