Moslejimi i ekipit të boksierëve të Kosovë për të hyrë në Serbi për të marrë pjesë në kampionatin botëror të boksit që zhvillohet në Beograd nga datat 24 tetor deri më 6 nëntor, ka sjellë reagime të shumta.

Delegacionit të “dardanëve” të përbërë nga boksierët Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku, Patriot Behrami, trajneri Besim Brahimi dhe sekretari i përgjithshëm, Latif Demolli iu kërkua të linin në kufi uniformat me simbolet e Kosovës. Kjo nuk u pranua dhe delegacioni u kthye në Prishtinë.

Federata Ndërkombëtare e Boksit (AIBA), tha se Kosova duhet të trajtohet njësoj si shtetet e tjera dhe se sporti duhet të jetë i ndarë nga politikat kombëtare.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dënoi ashpër skandalin e ndodhur dhe e quan një situatë të patolerueshme dhe të turpshme, që njollos sportin dhe bie në kundërshtim me vlerat Olimpike dhe Parimet e Olimpizmit.

Edhe Federata Shqiptare e Boksit dënoi këtë ngjarje. Presidenti Florend Kalivopulli informoi se institucioni që përfaqëson gjithnjë do të ngrejë zërin në përkrahje të Kosovës, por shtoi se ekipi kombëtar shqiptar do të marrë pjesë në këtë event, sepse në të kundërt penalizmi do të ishte mjaft i rëndë. Boksi shqiptar do të përjashtohej për një dekadë nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare.

Klan News