Fatos Nano nuk ka hezituar të përsërisë të njëjtën deklaratë në media. Ai është i vetmi personalitet politik që e ka bërë publike ambicien e tij për president 3 herë rrjesht dhe është i vetmi pa mbështetje politike, por që po qëndron në lojë dhe po tenton të imponohet. Historia e tij është historia tipike e një personazhi të rëndësishëm që i shpërfill gjërat kur i ka dhe që nuk i merr dot kur i do.
Në kulmin e fuqisë së tij politike dhe mbështetjes morale, në Korrik të vitit 1997, Nano shpërfilli skemën që mendonte gjithkush. Nuk u ngjit në krye të shtetit si president, për t’i zënë vendin atij të dorëhequr, Sali Berishës. Fatos Nano zgjodhi të bëhej kryeministër dhe në vend të tij caktoi sekretarin e përgjithshëm të PS-së, Rexhep Mejdanin.
Ky i fundit qëndroi në atë post deri në vitin 2002, kur ishte pikërisht Nano që i dha fund ambicieve të tij. Në Tetor të vitit 2001, në një intervistë në emisionin “Opinion”, Fatos Nano la të kuptohej se pozicioni i tij do të ishte ai i kreut të shtetit në zgjedhjet e Qershorit 2002.
Për të marrë atë që mendonte se po ia mohonin, Nano nisi një fushatë kundër kryeministrit Meta, që u mbyll me një kompromis mes të dyve gjatë një takimi në Korfuz.
Në Qershor të vitit 2002 Fatos Nano ishte më afër se kurrë postit të presidentit, por u pengua nga lëvizja e Imamit, Zogajt dhe Lesit nga e majta në të djathtë dhe nga rezoluta e votuar nga Parlamenti Europian, e cila kërkonte të gjendej një president konsensual. Nano dhe Berisha ranë dakord për gjeneralin e dalë në pension, Alfred Moisiu, për të marrë postin e Presidentit të Shqipërisë.
Fatos Nano u zgjodh kryeministër, por në vitin 2005 dështoi në tentativën për të çuar PS në mandatin e tretë qeverisës. Ai u zëvendësua nga rivali i tij Sali Berisha dhe njëkohësisht hoqi dorë nga posti i kreut të partisë.
Prej më shumë se 7 vitesh ai qëndroi jashtë politikës aktive, madje që pas vitit 2009 nuk është më as deputet. Por në vitin 2007 Nano tentoi sërish për postin e presidentit, duke marrë 20 firma. Në fazën e tretë, hyrja artficiale e Neritan Cekës e nxori jashtë loje dhe lejoi vijimin e garës për Cekën dhe Topin.
5 vjet më pas Nano provoi sërish pa mbështetje politike, por la të kuptohej se kishte një marrëveshje mes tij dhe Ramës. Ky ishte shansi i fundit i Fatos Nanos për të mos lejuar që ylli i tij politik, i cili shkëlqeu në një moment delikat të së majtës në kohën e ndryshimit të sistemit dhe të tranzitimit të PPSH në PS, të mos shuhet përfundimisht.
Për të diskutuar mbi betejën e tretë të Fatos Nanos për të marrë postin e Predisentit të Shqipërisë, në emisionin “Opinion” ishin të ftuar Andi Bushati, Artur Zheji, Baton Haxhiu, Armand Shkullaku, Preç Zogaj dhe Henri Çili./tvklan.al