Njoha e dy rajoneve rebele të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut kanë ngjallur reagime të ashpra të Perëndimit kundrejt Rusisë.

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, duke e konsideruar vendimin si të papërgjegjshëm, i bëri thirrje Moskës ta rishqyrtojë atë.

Sipas tij dekreti i Medvedev për njohjen e pavarësisë së dy rajoneve i shton tensionet dhe ndërlikon negociatat diplomatike, ndërsa shefi i diplomacisë franceze, Bernard Kushner, aludon se pas këtij vendimi Rusia fsheh realisht synime të tjera siç mund të jenë Ukraina dhe Moldavia.

Ai mendon se fakti që Moska ka dërguar flotën ushtarake të Detit të Zi në ujërat e Abkhazisë e bën situatën të rrezikshme duke shkelur ligjet ndërkombëtare.

Kushner tha se 27 vendet anëtare të Bllokut Evropian do të marrin një vendim të rëndësishëm në mbledhjen e jashtëzakonshme që do të mbahet të hënën, ndërsa diplomacia japoneze i trembet lindjes së një lufte të dytë të ftohtë falë krizës që ka nisur prej fillimit të Gushtit.

Nga ana e tij presidenti rus, Dimitri Medvedev, mbrojti vendimin e djeshëm duke bërë paralelizma mes çështjes në fjalë dhe Kosovës.

Në një intervistë për Financial Times ai tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veç njohjes së pavarësisë së dy rajoneve separatiste gjeorgjiane pasi perëndimi vendosi të njohë pavarësinë e Kosovës pavarësisht se Rusia e kundërshtoi këtë gjë, ndërsa homologu i tij gjeorgjian, Mikhael Sakashvili, akuzoi Kremlinin për aneksim të territorit gjeorgjian dhe ndryshim të kufijve me dhunë./tvklan.al