Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin njoftoi një paketë  ndihmash ushtarake për Ukrainën të vlerësuara në vlerën 6 miliardë dollarë, e cila është pjesë e ndihmës së madhe prej 61 miliardë dollarësh, të miratuar në Kongres më herët gjatë kësaj jave.

Ai u shpreh se Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë ndihmat e reja “sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“Paketa e ndihmës ofron radarë për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot për Ukrainën, më shumë seisteme kundër dronëve, sasi të konsiderueshme municionesh artilerie dhe predha ajër-tokë.”

Pjesë e furnizimeve është edhe sistemi i raketave patriot për mbrojtjen ajrore. Gjithsesi, Ostin tha se këto raketa nuk mund të dërgohen menjëherë dhe se Ukraina nuk mund të varet vetëm nga ky sistem për mbrojtjen ajrore.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy shprehu mirënjohjen për vendimin për të ofruar municione për Ukrainën ndërsa më herët kishte theksuar nevojën e raketave “Patriot” për të mbrojtur qytete ukrainase. Ukraina prej disa muajsh ka shprehur shqetësimin për mungesë armësh në fushën e betejës, veçanërisht ato në lidhje me mbrojtjen ajrore dhe municionet e artilerisë.

Klan News