Në 12:06 minuta ra muri i fundit që ndante Shqipërinë me Kosovën. Dy kryetaret e qeverive Berisha e Thaçi janë takuar në brendësi të tunelit Thirrë- Kalimashit për të shënjuar bashkimin simbolik mes dy vendeve nëpërmjet një rruge nga më modernet në rajon. Gjithçka ishte pjesë e një ceremonie të jashtëzakonshme që në rreth dy orë do t’i kushtohej tërësisht këtij momenti, historik siç dhe e konsideruan autoritet e të dyja vendeve.
Vetëm 5 minuta nga mesdita, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha nga Thirra dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi prej Kalimashit janë nisur për të shënuar bashkimin simbolik mes dy vendeve. Një moment që do të transmetohej paralelisht live prej Klan Kosovës dhe Klan Shqipërisë.
Sonlia Meço: “Është Klan Kosova dhe Klan Shqipëria, i kemi paraprirë bashkimit natyral të kombeve me transmetime që kanë nisur prej kohësh tashmë në Klan Kosovën. Mënyrat e komunikimit janë të shtrira tashmë jo vetëm atë rrugore.”
I hipur në ekskavator kryeministri Sali Berisha shembi murin e fundit te betonit për të shtrënguar më pas dorën e homologut të tij Hashim Thaçi.
Në daljen nga Kalimashi qytetarë të shumtë ishin mbledhur për të qenë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje të madhe. Personalitete ndërkombëtare asistuan gjithashtu në ceremoni, mbesa e ish-presidentin Amerikan Eisenhower, diplomati amerikan i karrierës i njohur për rolin e tij në çështjen e Kosovës William Walker. Por ajo çfarë ra në sy ishte mungesa e opozitës në ceremoninë që shënoi vënien në funksion të plotë të tunelit Thirrë-Kalimash.
Tuneli Thirrë-Kalimash konsiderohet si një ndër më të mëdhenjtë në Ballkan. 10 metra i lartë me dy hyrje dhe me gjatësi 5.6 kilometra. Për ndërtimin e tij “Bechtel- Enka” ka angazhuar 1300 mjete të llojeve të ndryshme, si dhe ka punësuar rreth 3500 punëtorë. Tuneli kalon përmes malit të quajtur Qafa e Kumbullës. Ai përbente në fakt dhe pjesën më të vështirë inxhinierike të autostradës Durrës-Morinë dhe ndërtimi i tij ka kushtuar plot 200 milion euro.
Falë autostradës së re Durrës-Morinë ndahen me 170 kilometra distancë. Një korridor që do të krijojë lidhjen më të shkurtër mes Kosovës dhe portit me dalje në Adriatik në Durrës. Një arterie e rëndësishme kombëtare kryesisht në aspektin ekonomik që do të përmirësojë ndjeshëm shkëmbimet tregtare mes dy vendeve të cilët siç dhe shkruhej në hyrje të tunelit do të jenë tashmë bashkë përgjithmonë./tvklan.al
Gazetare Meanda Zaimi